Në intervistën e saj të parë të rëndësishme të fushatës presidenciale të enjten, Nënpresidentja Kamala Harris mbrojti qëndrimet e saj të reja, duke hequr dorë nga pikëpamjet liberale në raport me disa çështje.
Por ajo këmbënguli se “parimet e saj nuk kanë ndryshuar”.
Zonja Harris u intervistua nga rrjeti televiziv CNN së bashku me guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, i cili kandidon krah saj për postin e nënpresidentit.
Nënpresidetja u pyet në mënyrë specifike lidhur me ndryshimin e qëndrimeve të saj në raport me ndalimin e shpimeve për nxjerrjen e naftës si dhe dekriminalizimit e kalimit të paligjshëm të kufirit, pozicione që i kishte mbështetur kur kandidoi për herë të parë si presidente, në vitin 2020
Ajo tha se nuk ka në plan t’i ndalë shpimet, një çështje kyç kryesisht për ekonominë e shtetit të Pensilvanisë, ndërsa shtoi se “duhet të ketë pasoja për ata që kalojnë kufirin pa leje”.
“Mendoj se aspekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i perspektivës dhe vendimeve të politikës sime është se parimet e mia nuk kanë ndryshuar“, tha zonja Harris.
Gjatë intervistës së saj zonja Harris tha se ajo beson se mbi këto çështje “është e rëndësishme të arrihet konsensus dhe mirëkuptim se si mund të zgjidhen problemet”.
Intervista me gazetaren Dana Bash të rrjetit televiziv CNN, vjen në një kohë kur zgjedhësit po përpiqen ende të mësojnë më shumë rreth kandidates demokrate, brenda një harku kohor jashtëzakonisht të ngjeshur.
Presidenti Joe Biden i dha fund garës për t’u rizgjedhur vetëm pesë javë më parë.
Megjithëse ka dhënë disa intervista gjatë kohës që Presidenti Biden vazhdonte të ishte në garë, zonja Harris nuk kishte dhënë asnjë intervistë të thelluar, prej momentit kur mori stafetën e demokratëve për garën për Shtëpinë e Bardhë.
Ajo tha se puna me Presidentin Biden ishte “një nga nderet më të mëdha të karrierës së saj” si dhe tregoi mbi momentin kur ai e kishte telefonuar për ta njoftuar se do të tërhiqej nga gara dhe se do ta mbështeste atë si kandidate për presidente.
“Ai më tha se çfarë kishte vendosur të bënte dhe unë e pyeta: “A je i sigurt?” ai tha: “Po”. Kështu e mësova këtë gjë”.
Zonja Harris tha se nuk i kishte kërkuar Presidentit Biden që ta mbështeste për garën presidenciale pasi siç tha: “ai ishte shumë i qartë se do të më mbështeste”.
Gjatë intervistës Nënpresidetja Harris mbrojti punën e administratës Biden lidhur me kufirin jugor dhe imigracionin. Ajo vuri në dukje se e kishte për detyrë të përpiqej të trajtonte “shkaqet që qëndrojnë në rrënjë të problemit” në vendet e tjera, që janë dhe burimi i emigracionit.
“Ne kemi ligje që duhen zbatuar, e që përcaktojnë masat për ata që kalojnë kufirin tonë në mënyrë të paligjshme. Për këtë duhet të ketë pasoja”, tha zonja Harris.

