Sektori i bujqësisë ka hyrë në një cikël rënie të qëndrueshme, teksa mangësitë në prodhim po plotësohen me import.
Në këtë situatë, qeveria rishikoi me ulje fondet për bujqësinë në aktin e dytë normativ për ndryshimin e buxhetit 2024.
Sipas tabelave të reja buxhetore, të botuara në Fletoren Zyrtare, fondi total për Ministrinë e Bujqësisë arrin në 13,9 miliardë lekë, nga 14.1 miliardë lekë që ishte në ndryshimet e aktit normativ numër 1.
Shkurtimin më të mëdha i ka marrë mbështetja ndaj fermerëve, me rreth 4,3 milionë euro. Fondet për programin e ‘Zhvillimin Rural duke mbështetur prodhuesit bujqësor” arrijnë në 6.8 miliardë lekë nga 7,2 miliardë në aktin normativ numër 1 me rënie 4,3 milionë euro.
Gjithashtu fondet për sigurinë ushqimore u shkurtuan me rreth 1,3 milionë euro dhe mbështetja për peshkimin ka 350 mijë euro më pak fonde. Në të kundërt, rritje ka shënuar vetëm zëri që ka të bëjë me infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes, i cili u rrit me 400 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro.
