Presidenti i vendit Bajram Begaj u ka bërë apel ambasadorëve dhe konsujve që t’u shërbejnë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë e punojnë.
Në pritjen që ka organizuar në Presidencë, Begaj iu drejtua ambasadorëve dhe konsujve se duhet të krijojnë lehtësirat e nevojshme për shqiptarët, në vendet ku ata shërbejnë. Ai tha se është e papranueshme që selitë diplomatike shqiptare të mos u shërbejnë qytetarëve shqiptarë.
Begaj vuri në dukje se një rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet Kosovës për ta ndihmuar atë në çdo rrethanë si dhe për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
Fjala e Presidentit Begaj me rastin e pritjes së trupit diplomatik shqiptar
I nderuar zoti Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme,
Të nderuar ambasadorë e konsuj të përgjithshëm,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të ftuar e pjesëmarrës,
Më lejoni t’ju shpreh kënaqësinë që ndodhem midis jush në këtë takim me të gjithë përfaqësuesit tanë në shtete të tjera e në institucione ndërkombëtare! Kjo pritje është një mundësi e mirë bashkëbisedimi për çështje me rëndësi të diplomacisë dhe politikës së jashtme të Shqipërisë.
Si fillim, dëshiroj të shpreh mirënjohje për punën dhe përkushtimin tuaj të palodhur për të përfaqësuar Shqipërinë me nder e dinjitet!
Falë angazhimit tuaj, ne kemi arritur të forcojmë pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe të promovojmë interesat kombëtare në mënyrë më efektive. Gjej rastin të falënderoj të gjithë ambasadorët me të cilët kam bashkëpunuar edhe nga afër gjatë vizitave të mia jashtë vendit!
Takimi i sotëm zhvillohet në kuadër të konferencës suaj të ambasadorëve. Me sa jam informuar, punimet kanë qenë të frytshme dhe besoj se keni projektuar një të ardhme në nivel me pritshmëritë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të kohës ku jetojmë.
E them këtë, sepse brenda pak vitesh bota ka pësuar ndryshime rrënjësore. Besoj e kemi ende të freskët kujtimin kur globalizimi ishte kryefjalë e ditës. Marrëdhëniet shumëpalëshe, ose multilateralizmi, qëndronin në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare. Teknologjia e informacionit e lehtësoi ndjeshëm punën, njerëzit komunikonin më lehtësisht dhe mediat sociale u bënë instrument kryesor për ndërlidhjen e tyre. Investimet më të mëdha ishin kryesisht në teknologji, tregti e sipërmarrje. Bota ishte e ndërlidhur aq natyrshëm, sa diplomacia duhet të rishpikte veten. Ndryshe, diplomatët tradicionalë rrezikonin të ktheheshin në relike. Pakkush e parashikoi ndryshimin që do të pasonte.
Skena botërore, deri dje e bashkuar, sot po përjeton uljen e perdes së harruar të hekurt. Multilateralizimi ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Globalizimi është krisur nën trysninë e forcave rajonale. Teknologjia tregoi anën e saj të errët teksa filloi të përdorej edhe për qëllime negative, si përhapja e informacioneve të rreme dhe influencimi i zgjedhjeve demokratike. Për më tepër, çështje të mprehta si pabarazia shoqërore, siguria kibernetike, shpopullimi, ndryshimet klimatike dhe lindja e inteligjencës artificiale e kanë bërë edhe më të ndërlikuar gjetjen e zgjidhjeve.
Agresioni rus kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka. Në Evropë u rikthye lufta për herë të parë që prej 1945-ës. Po kështu, në Lindjen e Mesme, pas një periudhe relativisht të qetë, u riaktivizua konflikti Izrael-Hamas, duke rrezikuar seriozisht të zgjerohet.
