Shqipëria është në rrugën e duhur të integrimit në BE”. Mesazhi ka ardhur nga një njohëse e mirë e procesit si Tanja Fajon e cila ishte në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare si Ministre e Jashtme dhe Zëvendëskryeministre e Sllovenisë. E ftuar në një intervistë televizive, ajo theksoi se Sllovenia mbështet hapjen e kapitullit të parë të negociatave në muajin tetor.
“Ka një angazhim të madh nga ana e qeverisë. Por edhe nga të gjithë aktorët që unë takova, presidentin, kryeministrin, kryetaren e Parlamentit, dallon një angazhim të madh se vendi do të vijojë të ecë në rrugën e reformave. Po ashtu ka edhe një konsensus politik mes qeverisë dhe opozitës si edhe një mbështetje të madhe nga ana e qytetarëve. Kur ke 90% mbështetje të popullatës është më e lehtë për autoritetet të punojnë në drejtim të këtij qëllimi të përbashkët. Besoj se Shqipëria është shembull shumë i mirë në rajon”, tha Fajon.
Sipas Fajon edhe bashkëpunimi mes dy vendeve është në nivelet më të larta dhe po punohet në realizimin e çështjeve konkrete.
“Pata një vizitë shumë të frytshme në Shqipëri. Mund të them që tradicionalisht marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe madje po forcohen më tepër. Vetëm për t’u bërë me dije, këtë vit ka patur 4 vizita të zyrtarëve të lartë sllovenë në Shqipëri. Po punojmë në marrëveshjen për turizmin dhe po ashtu në heqjen e barrierave për studentët dhe duam të përmirësojmë edhe bashkëpunimin ekonomik. Jemi vende me të njëjtin qëndrim për shumë çështje. Ne e ndoqëm Shqipërinë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB, pra po, kemi mirëkuptim të plotë”, u shpreh ajo.
Tanja Fajon ishte në një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit nga homologu Igli Hasani, por edhe nga krerët më të lartë të shtetit.
Intervista e plotë
Së pari si do ti përcaktonit marrëdhëniet Slloveni-Shqipëri?
Pata një vizitë shumë të frytshme në Shqipëri. Vizita e parë zyrtare në detyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres së jashtme të Sllovenisë. Mund të them që tradicionalisht marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe madje po forcohen më tepër. Vetëm për t’u bërë me dije, këtë vit ka patur 4 vizita të zyrtarëve të lartë sllovenë në Shqipëri. Po punojmë në marrëveshjen për turizmin dhe po ashtu në heqjen e barrierave për studentët dhe duam të përmirësojmë edhe bashkëpunimin ekonomik. Jemi vende me të njëjtin qëndrim për shumë çështje. Ne e ndoqëm Shqipërinë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB, pra po, kemi mirëkuptim të plotë.
A do të duhej të ishin në Ballkan të njëjtat marrëdhënie, kaq vjet pas luftërave?
Jam dakord me ju që duhet një pajtim i madh në Ballkan, po ashtu na duhet një rajon i fortë, një rajon i konsoliduar, na duhet një bashkim europian i zgjeruar dhe i fortë i bashkuar me Ballkanin Perëndimor. Siç e dini unë jam një promovuese e fortë e zgjerimit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, Sllovenia është një mike e madhe e zgjerimit dhe e Shqipërisë. Unë mund t’ju përgëzoj mbi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, por edhe për rolin në marrëdhëniet rajonale. Unë mendoj se kemi nevojë për njëri tjetrin, edhe për shkak të asaj që po ndodh në aspektin gjeopolitik, rreth nesh. Për këtë shkak inkurajoj Shqipërinë të vijojë me reformat, që të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes Europiane.
Nuk ndodh kështu në fakt, sidomos mes Serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, çfarë duhet të ndodhë që të marrë fund kjo situatë?
Ne kemi nevojë që procesi të normalizohet, të normalizohen marrëdhëniet dhe dialogu i lehtësuar nga Brukseli. Por kemi një vit të vështirë me zgjedhje në institucionet europiane, me ndryshime të drejtuesve në institucionet europiane, por kam përshtypjen që ka një vëmendje të shtuar të qeverive europiane në lidhje me nevojën e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Prandaj na duhet mençuria dhe kuraja e qeverive në rajon që të punojnë për këtë qëllim, për ta përdorur këtë moment gjeostrategjik. Për sa i përket Kosovës dhe Serbisë po, ne mbështesim vazhdimin e dialogut, është i rëndësishëm. Por ne kemi nevojë edhe për politika të mençura dhe të moderuara në rajon. Siç e thashë dhe më parë , kemi nevojë për njeri-tjetrin, sidomos për shkak të brezave të rinj. Ajo që po përjetojmë në rajon të gjithë është një tharje e trurit, një largim i të rinjve për shkak të mungesës së vizionit për të ardhmen, pra është një përgjegjësi e përbashkët.
Shpesh flitet për një integrim në bllok të Ballkanit Perëndimor në BE, a do ti jepte fund kjo përplasjeve etnike?
Jam e qartë se ka argument pro diçkaje të tillë, por unë besoj se shpejtësia apo niveli i realizimit të reformave të kërkuara është i ndryshëm në vende të ndryshme. Ne duhet të punojmë bazuar te meritat e gjithsecilit, kështu funksionon procesi. Shqipëria është në rrugën e duhur. Unë shpresoj dhe Sllovenia mbështet hapjen e kapitullit të parë të negociatave me shumë shpresë këtë tetor, në konferencën e dytë ndërqeveritare Shqipëri Bashkimi Europian. Kjo do t’i jepte një shtysë shumë të mirë procesit të reformave. Po ashtu edhe agjenda e reformave prezantuar nga qeveria juaj në Bruksel do të marrë vlerësimin e Komisionit Europian në Shtator, dhe nëse ky vlerësim është pozitiv, siç shpresoj, do të ketë një mbështetje paraprake financiare për reformat por edhe një integrim gradual në tregun e përbashkët. Të gjitha këto janë zhvillime shumë të mira në Shqipëri. Shqipëria po ecën mirë dhe duhet të vijojë më zbatimin e këtyre reformave të nevojshme.
