Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekretuar rektorët e universiteteve publike në vend, të dalë nga zgjedhjet e fundit në institucionet e arsimit të lartë, të cilat u mbajtën më 21 qershor. Ceremonia është zhvilluar në Presidencë ditën e djeshme, ku rektorët e zgjedhur kanë marrë nga kreu i shtetit dekretin që zyrtarizon nisjen e mandatit të tyre 4- vjeçar. Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e dekretimit, Presidenti Begaj theksoi sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë shqiptar dhe misionin e drejtuesve të universiteteve publike.
Presidenti e cilësoi këtë ditë si pikënisje që do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tyre akademike, një mundësi e vlefshme për të hedhur themelet për një përvojë të re e të pasur universitare. “Të sapozgjedhur në këtë detyrë të rëndësishme, ju po bëheni tashmë drejtues të një komuniteti dinamik, të gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat që dikton e sotmja dhe e ardhmja e vendit. Ju dhe universitetet që do të drejtoni ndani objektiva të përbashkëta dhe bashkoheni në dëshirën e arritjeve të larta akademike për të kontribuar pozitivisht në shoqërinë tonë dhe farkëtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezin tonë dhe brezat që do të vijnë”, u shpreh Begaj. Sipas Begajt, rektorët kanë për detyrë që të rrisin cilësinë e mësimdhënies në universitete.
“Është detyra juaj të siguroni që universitetet tona të jenë vende ku ndriçon dija, ku studentët të frymëzohen dhe motivohen, ku nxitet liria akademike, ku rritet cilësia e mësimdhënies, ku kultivohet, përmirësohet dhe promovohet kërkimi shkencor, ku krijohet një mjedis që nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe inovacionin”, shtoi ai. Universitetet publike të vendit më 21 qershor iu nënshtruan zgjedhjeve, akademike për rektor, dekanë dhe për senatin akademik. Në rreth 90% të universiteteve në garë kishte vetëm nga një kandidatë.
