Spartak Ngjela: SPAK i arreston, personazhet e njohur të botës së krimit blejnë gjyqësorin dhe lirohen nga burgu….

Data

Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar aksionet e fundit të Prokurorisë së Posaçme ndaj personazheve të njohur të botës së krimit, por edhe vrasjet dhe plagosjet që kanë plasur së fundmi në Shqipëri. Në një reagim për gazetën , ai u shpreh se ministri i Brendshëm duhet të mbajë përgjegjësi për gjithë këtë situatë. Avokati thotë se SPAK, arreston kriminelët, ndërsa institucionet tjera të drejtësisë me Prokurori, Gjykata i lirojnë pasi janë të blera nga krimi. “Sigurisht nëse kjo do të vazhdojë pasi kjo ishte e beftë, të jemi realist.

Nëse ky krim do të vazhdojë e do të ecë kështu, domosdoshmërisht që ministri i Brendshëm duhet të mbajë përgjegjësi. Por edhe pushteti Gjyqësor nuk ka funksionuar mirë pasi i liron nga qelia. Madje krimi merr kurajo kur di se blen pushtetin gjyqësor. Nuk e kam fjalën për SPAK-un, por institucionet tjera të drejtësisë me Prokurori, Gjykata, i ka blerë dhe kjo i jep forcë pasi krimin paguan dhe dalin nga burgu.

Të shohim sesi do të vijojë kjo çështje nëpërmjet asaj që do të shohim këtej e tutje pasi vetëm me kaq nuk mund të vlerësojmë sesi ka ecur krimi”, u shpreh Ngjela.

Përgjimet e SKY
Avokati komenton dhe inkriminimin e policie. Sipas tij e vetmja mënyrë që shteti të funksionojë në mënyrë të drejtë është që të ketë reagim nga media dhe opinioni publik. “Ajo është në dorë të kryeministrit. Shtypi duhet të akuzojë kryeministrin për këto që ndodhin në Policinë e tij. Vetëm opinioni publik mund të detyrojë kryeministrin të drejtojë shtetin në mënyrë më të mirë. Vetëm opinioni publik duhet të detyrojë kryeministrin të drejtojë shtetin në mënyrë të drejtë.

Krimi i ka blerë gjithmonë ata. Të shohim si do të ecë çështja pasi është dhe SPAK-u në mes dhe krimin e organizuar dhe personat zyrtar që janë të inkriminuar i ka SPAK-u e të shikojmë nëse do të godasë”, tha avokati. Ngjela komentoi dhe goditjet e SPAK në politikë dhe lidhjet e tyre me krimin. “Lidhja me krimin e korrupsionin vazhdon. Korrupsioni është goditur. Janë pesë ministra e gjithë ata kryetar bashkish dhe një ish-kryeministër i arrestuar për korrupsion. Deri tani SPAK-u po punon mirë, është i ngadaltë pasi kështu janë marrëdhëniet dhe punët në Shqipëri. Por ato punë që i ka bërë, i ka bërë”, tha ai.

Dosja e rëndë
Nga ana tjetër, Ngjela në një reagim thotë se ende nuk është goditur nga asnjë kryeministër masakra antikombëtare në ekonominë shqiptare në vitet 1992 -1996. Sipas tij, shqiptarët duan shpagim nga maskarenjtë që shkelën me dhunë djersën, lodhjen ekstreme, me drobitjen më rropatëse, që kishin kaluar prindërit e tyre në dyzet vite rresht.

“Historia e fshehur e një kombi, është armiqësi kombëtare… Historinë e një shteti të pavarur kombëtar, e fshehin vetëm antikombëtarët. Pse, në krye te shqiptarëve, në 90 përqind të rasteve kanë drejtuar antishqiptarët?

Zotërinj! Nuk është koha që na drejton ne, jemi ne që duhet te drejtojmë kohën tonë. Koha jone është jeta jonë. Por, diktatorët nuk e shohin kurrë shoqërinë që sundojnë që ajo është në kohen e saj, dhe, brenda saj, gjithsecili individ ka kohën e tij. Koha e një periudhe historike të një shoqërie të caktuar kombëtare, krijohet nga vetë koha e individëve që jetojnë dhe e formojnë atë shoqëri. Po kryeministri aktual, a e di që kjo është dhe duhet të jetë maksima kombëtare e shqiptarëve, që askush nuk mund ta shkelë.

E di kryeministri aktual që të gjithë kryeministrat në Shqipëri kanë vepruar sikur ata drejtojnë, dhe koha është e tyre? E di kryeministri aktual që shqiptarët kanë dekada që kanë pritur e po presin zhvillimin e jetës së tyre normale në atdheun e tyre? E di kryeministri aktual në Shqipëri sot se, gjendja e rëndë e krijuar nga kryeministrat e korruptuar që kanë kaluarnë këta 30 vite në Shqipëri, ka detyruar mbi 1 000 000 shqiptarë ta lënë Shqipërinë se nuk kanë pasur mjete të mjaftueshme jetese për vete dhe familjet e tyre? Dhe kjo ka ndodhur, sepse kryeministrat tanë nuk kanë pasur fare lidhje me jetën e shqiptarëve, por vetëm me pushtetin e tyre, dhe me qarqet antishqiptare rrotull nesh.

Dhe, na duhet të theksojmë se: Është instinkti i sundimit, që e kanë politikanët mediokër, të cilët e konceptojnë kryeministrin si një post-çlirimi të dëshirave të tyre për sundim. Kryeministrat shqiptare, me përjashtim të Ismail Qemalit, kush më shumë e kush më pak, kane qenë sundues. Dhe nuk kanë bërë Asgjë për historinë e zhvillimit në Shqipëri. Duhet përjashtuar këtu diktatura komuniste që, me dhunë, me shkelje brutale të të drejtave jetësore të shqiptarëve, të paktën i ndërtoi 500 fabrika e uzina ne Shqipëri.

Po ku janë sot? Janë shkatërruar të gjitha, në katër-vjetshin 1992 – 1996. Turp për ata bastardë që drejtuan këtë shkatërrim! Se ja, para pak muajsh, u ngritën në parlamentin e Serbisë, dhe hordhitë serbe u mburrën që, me 40 milionë dollarë, ata kishin shkatërruar 500 uzina e fabrika në Shqipëri. Ky është një turp historik, dhe krim antikombëtar. Këta bastardë dhunuan me pabesi kombëtare djersën e shqiptarëve të përvuajtur në 40 vite rresht.

Zotërinj, kjo është një nga aspektet e rënda të historisë sonë antikombëtare që ende nuk është ndëshkuar. Sepse ende nuk është goditur nga asnjë kryeministër masakra antikombëtare në ekonominë shqiptare në vitet 1992 -1996. Po SPAK -u, e di këtë tragjedi antikombëtare? Gjithsesi, këtë tragjedi makabër antikombëtare, edhe shtypi ka pasur frikë ta denoncojë në Shqipëri. Por, shqiptarët duan shpagim nga maskarenjtë që shkelën me dhunë djersën, lodhjen ekstreme, me drobitjen më rropatëse, që kishin kaluar prindërit e tyre në dyzet vite rresht”, tha ndër të tjera Ngjela

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related