Në shtator nis furtuna e madhe në Policinë e Shtetit, ministri i Brendshëm paralajmëron ndryshime rrënjësore…

Data

Të shtënat me armë në drejtim të policisë gjatë një aksioni antikanabis në Malësinë e Madhe më 21 gusht, sollën një reagim të ashpër të ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha për ata që guxojnë të qëllojnë mbi uniformat blu. Teksa dënoi ngjarjen që mund të përfundonte me pasoja tragjike, Z.Hoxha ndër rreshta paralajmëroi ndryshime rrënjësore në Policinë e Shtetit. Sipas tij, do të ketë reformë totale nga qendra në bazë.

“Kjo kambanë na vendos përballë një detyre të madhe: Për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për të siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin. E nga ana tjetër dhe po me kaq rëndësi, për të ndryshuar dhe reformuar organizatën e Policisë, nga qendra në bazë, në një shërbim model, pasqyrë e shoqërisë tonë, model që mund ta ofrojnë vetëm drejtues profesionistë dhe me integritet, dhe një organizatë e mire strukturuar dhe reaguese mëse e shpejtë”, paralajmëroi Rrumbullaku.

Gazeta  e raportoi pak ditë më parë se ndryshimet e forta në polici do të fillojnë nga shtatori, pasi në këtë muaj Z.Hoxha merr detyrën zyrtarisht dhe informacionet që raportuam i konfirmoi vetë Hoxha me reagimin e fundit. Atë që e nisi pak Taulant Balla, por që nuk u finalizua plotësisht si operacion brenda uniformave blu, pritet ta përmbyllë ministri i ri. Mësohet se nuk do të kursehet askush, që nga emra të rëndësishëm në kupolën e policisë, si Muhamet Rrumbullaku, por edhe “prerje” kokash te drejtues policie dhe shefa Komisariatesh.
Skema

Si fillim, ndihmë të madhe për të diktuar lëvizjet e Z.Hoxha e kanë dhënë mesazhet e SKY ECC, ku edhe pse disa zyrtarë policie janë përmendur nga kriminelët nuk ka prova të mjaftueshme për t’i arrestuar. Kjo gjë nuk e ndalon ministrin e ri që t’i shkarkojë, apo t’i lëvizë ata nga poste të rëndësishme. Kujtojmë se nga dosja e SPAK, bandat shpresonin që përmes lidhjeve që ka Pëllumb Gjoka në polici dhe mazhorancën qeverisëse, të transferoheshin emra që nuk e meritonin nga Shkodra në policinë e Tiranës ose në një vend më të mirë.

Në 13 tetor 2020, Pëllumb Gjoka i shkruan shefit të sektorit të vrasjeve në policinë e Shkodrës, se i kishte dhënë emrin e tij për transferim, dhe se më pas Beqaj t’ia çonte Ardit, që në atë kohë ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Mes tyre zhvillohet kjo bisedë: Pëllumbi: “…sot ja dhashë emrin Beqes për tek Ard Veliu…”. Hasanbegaj: ”Ok Vëlla…”. Në datën 20 tetor 2020, Ardrit Hasanbegaj i shkruan Pëllumb Gjokës duke e pyetur se ku është më mirë, për të lëvizur çfarë komisariati.

Biseda mes tyre vijon si më poshtë: “…në Tiranë, vëlla ku është më mirë, çfarë komisariati? Po për zv/shef komisariati…?” Ndërsa Pëllumbi ia kthen: “…aty vetëm Ëngjëlli të bën…”. Por Hasanbegaj sërish ia kthen: “…jo jo vëlla do iki. Nuk po shtyhet me këtë intrigant është si dhelpër, Niko është ko*e. Se ha ndonjë gozhdë kot nga këta, më mirë do iki tani kap ndonjë shef krimesh në ndonjë komisariat, ose ose shef anti korrupsioni në Tiranë është bosh.

Shef krimesh nuk e kap dot, si është? Po tek 1 si është? Si është kombinat? O vëlla ty rrofsh të kam borxh, por nuk shtyhet me këtë motër q**, është i pacipë fare. Ndërsa Lenci ka dashur atë Madanin. Ndoshta ka luftuar me Ministrin për me mbajt këtë Madanin, se ky dilte grabiste për të. Vari k** vëlla”. Ndërsa Pëllumb Gjoka i thotë Hasanbegej se për T. Madanin, ka ndërhyrë deputetja e PS në Shkodër, njëherësh ish-zv/kryeministrja Senida Mesi. “…për T.Madanin ka ndërhyrë Senida Mesi, e askush tjetër…”-shkruan Gjoka.

Kush rrezikon tjetër?
I rrezikuar të largohet është edhe drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku. Mësohet se vrasja me grushte e 42-vjeçarit Egli Proga nga Denis Meçe në Pogradec që nga prokuroria e Korçës u zbulua se u tentua të fshihet nga policia, pritet t’i kushtojë “kokën” Rrumbullakut, por edhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Z.Hoxha është gati që të largojë emra të rëndësishëm që janë akuzuar për korrupsion, në mënyrë që të shkëputet bashkëpunimi midis organizatave të krimit të organizuar dhe policisë që me përgjimet e operacionet e SPAK u tregua se ka një numër oficerësh të lartë policie të inkriminuar që bashkëpunonin me figura të mëdha krimi që variojnë nga vrasja deri te trafiku i drogës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related