Nga Arben Broci, Azem Hajdari, deri tek vrasja e ministrit kosovar Ahmet Krasniqi, ja 16 figurat politike që janë…

Data

Nëse ka ardhur koha që të bëhen bilancet e veprimtarisë politike e shtetërore të Sali Berishës, përveç dosjeve të krimit ekonomik, financiar, shoqëror e kombëtar, duhet bërë edhe një bilanc tjetër. Në gjithë vitet e veprimtarisë së Sali Berishës në politikë, janë shumë emra të vrarë e të vdekur, “dosja” e të cilëve edhe pse nuk janë hapur, janë përfolur të kenë lidhje me emrin dhe punët e tij.

Janë shumë raste, të cilët edhe pse mund të kenë kaluar vite që kanë ndodhur, episodet e tyre ende kujtohen prej shqiptarëve. Është Saliu, i cili sapo kanë ndodhur këto vdekje e vrasje figurash publike e politike shqiptare apo mbarë shqiptare, ka nxituar të deklarohet me “pikëllime”, akuza, denigrime, heshtje, shfajësime e mos hapje dosjesh të ngjarjeve.

Edhe pse nuk ka një “dosje” hetimore, apo gjykuese që të akuzoj zyrtarisht Sali Berishën për lidhje me këto vrasje e vdekje, fakte nga jeta e tyre për së gjalli, flasin për “raporte” dyshuese me Sali Berishën. Dhe pas këtyre raporteve, ata ose kanë humbur jetën në aksidente, ose janë zhdukur, ose janë vrarë në atentate, ose kanë vdekur befasisht.

I mbeturi gjallë, në këto vite është vetëm Sali Berisha, të cilin nuk kemi as tagrin e as provat zyrtare, për ta akuzuar, por kemi të drejtën, për të kujtuar profilet e disa prej këtyre figurave publike e politike, që kanë pasur “kontakte” me Sali Berishën dhe që janë ndarë nga jeta e nuk mund të flasin dot.

Azem Hajdari
Nismëtari, organizatori dhe drejtuesi i lëvizjes antikomuniste të Dhjetorit ’90. Themeluesi dhe drejtuesi i parë i PD. I vlerësuar prej Sali Berishës, si mik dhe bashkëpunëtor i afërt në krye të PD e në jetën private. Befas, sulmohet prej Sali Berishës, i hiqet imuniteti dhe tentohet të futet në burg. Përjashtohet nga strukturat e PD dhe cilësohet si spiun sigurimi prej Berishës. I bëhen disa atentate prita, por Berisha nuk reagon publikisht.

Ndërsa gjendej në mbledhje kryese në krahë të Sali Berishës në PD, i bie telefoni, del prej selisë PD dhe vritet në atentat përballë saj. Berisha qau dhe bëri homazhe për Azemin. Çdo vit shkon tek memoriali i tij dhe vendos lule. Deklaroi se do t’i hapte dosjen e vrasjes dhe akuzoi Fatos Nanon si vrasës. Por deri në fund të pushtetit të tij nuk e hapi dosjen.

Gramoz Pashko
Ish-mik, armik dhe përsëri mik e bashkëpunëtor i afërt i Sali Berishës në kupolën e PD. Befas, gjatë një fundjave pushimi në bregdetin e Vlorës, siç u tha, aksidentohet duke notuar pas goditjes në një shkëmb, version i cili ende nuk është zbardhur. Me urdhër të Sali Berishës kryeministër dhe nën përkujdesjen e tij niset me helikopterin presidencial për trajtim mjekësor në Itali, por befas zhduket nga radari helikopteri, brenda të cilit udhëtonte dhe i biri i Gramoz Pashkos. Thuhet se helikopteri përfundoi në det, u gjet motori por jo viktimat. Sali Berisha i bën homazhe nderi dhe vlerësime si figurë politike.

Arben Broci
Është cilësuar, si një nga heronjtë e demokracisë. Kjo vrasje në demonstratat e prillit të 1991-shit në Shkodër, nuk ka ende asnjë autor. Për këtë krim drejtësia nuk ka vënë në pranga asnjë autor, madje edhe të dyshuar. Vrasja e studentit 21-vjeçar në 2 prill 1991 është cilësuar me motiv politik, duke mbyllur edhe kapakët e saj. Sali Berisha çdo vit e kujton, por nuk e rihapi kur ishte në pushtet dosjen e vrasjes së tij politike.

Bujar Bishanaku
Një nga studentët që ka marrë pjesë në demonstratën në Shkodër në 2 prill 1991 për rënien e sistemit komunist. Autorët e vrasjes së tij edhe pse kanë kaluar 22vjet, ende nuk dihen, duke bërë që kjo çështje të mbyllet me kaq. Vetëm me motivin politik, por pa autor. As në pushtetin e tij të fundit, Sali Berisha nuk e hapi dosjen vrasjes së tij.

Nazmi Kryeziu
Është cilësuar si vrasje me motiv politik. Por vetëm kaq është shënuar në organet e drejtësisë, duke mbyllur me kaq vrasjen e studentit Nazmi Kryeziu, mbetur i vrarë në demonstratën e 2 prillit 1991 në qytetin e Shkodrës, për rënien e sistemit komunist. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, nuk ka asnjë autor, ndërsa Sali Berisha nuk e hapi dosjen as në pushtetin e tij të dytë 8 vjeçar, duke heshtur.

Besnik Ceka
Nuk ka qenë i vetmi që është vrarë në demonstratën e 2 prillit në Shkodër. Studenti 21-vjeçar së bashku me shokët e tij ka marrë pjesë në protestën që është zhvilluar për rënien e sistemit komunist, por që më pas është gjetur i vdekur. Përveç titullit Hero i Demokracisë, vrasja e tij nuk ka asnjë autor, duke e mbyllur një herë e përgjithmonë këtë çështje.

Ilir Koloshevci
Vritet në Tiranë 21 tetor 1995, furnitori i UÇK-së. Sipas policisë, për këtë vrasje u dyshuan në fillim dy punonjës të SHIK-ut. Koloshevci ishte furnitori me armë për ushtarët e UÇK-së, që pasi i blinte në Shqipëri, i dërgonte më pas në Kosovë. Në atë kohë president republike, Sali Berisha heshti dhe bllokoi zbardhjen e dosjes së kësaj vrasjeje.

Mirush Mati
Ish-shef personeli i PD. Kishte bërë gjithë spastrimet e drejtuesve të lartë të PD në qendër e në rrethe dhe të qeverisë, me urdhër të Sali Berishës. Po me urdhër të Sali Berishës, kishte mbushur vendet e punës në administratën e PD, në kryesi e në Këshillin Kombëtar të PD dhe në administratën shtetërore të viteve 1992-1997 me komunistë, hajdutë, imoralë, spiunë, kriminelë, servilë, burgaxhinj ordinerë etj. Befas, rezulton se ishte vrarë në aksident automobilistik në Moldavi. Sali Berisha heshti, madje nuk i shkoi as në varrim dhe as i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes e cila, akuzoi kupolën e PD, si organizatore të këtij aksidenti të befasishëm.

Kosta Trebicka
Biznesmenë i njohur në Tiranë, si ortak në fabrikën e Gërdecit të demontimit të municioneve, të paketimit dhe tregtimit të tyre jashtë Shqipërisë. i tradhtuar dhe nxjerr jashtë loje nga ky biznes prej grupit të djalit kryeministrit dhe Efraim Diveroli, bosit të trafikut të municioneve në SHBA, Kosta Trebicka, guxoi e doli publikisht në media, duke rrëfyer, se Gërdeci ishte biznes dhe trafik i organizuar prej djalit të kryeministrit Sali Berisha dhe se kishte komunikim me djalin e kryeministrit për këtë trafik e fabrikë, ku u vranë 26 njerëz, u plagosën 300 të tjerë dhe u rrafshuan 4000 banesa e biznese. Befas, pas intervistës në media, jepet lajmi se Kosta Trebicka ishte vrarë në gjueti, nga një aksident automobilistik. Berisha dhe familja kryeministrore heshtën edhe pse duhej të flisnin, pas akuzave që u bërën mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, si organizator të kësaj vrasjeje, që ndodhi fill pasi ai shpalli veten dëshmitar kyç për krimin dhe trafikun e Gërdecit.

Fatmir Xhindi
Ish-deputetë i PS (opozitës) ndërsa kthehej si zakonisht në banesë pas punës së tij në fermën private në fsha6, ai vritet në atentat, në pritë tek hyrja e shtëpisë së tij. opozita akuzoi kryeministrin Sali Berisha dhe strukturat e pushtetit të tij, si organizator të vrasjes. Kryeministri heshti, ndërkohë që më pas deklaroi se kishte arritur të evidentonte autorët e krimit, por e mbylli pushtetin e tij me mos hapjen e kësaj dosjeje.

Bujar Kaloshi
Ish-drejtor i burgjeve të Shqipërisë pas vitit 1992. Aktivist dhe bashkëpunëtor i afërt i Sali Berishës. Pas burgosjes së ish-bllokmenëve dhe disa titullarëve të lartë të ish-pushtetit komunist, Bujar Kaloshi deklarohej publikisht se dinte dhe kishte incizuar shumë gjëra gjatë qëndrimit në burg të ish-bllokmenëve. Befas, një mëngjes, ndërsa dilte nga shtëpia për të shkuar në zyrë, vritet në atentat. Sali Berisha qau dhe bëri homazhe e nderime për të. Dosja e tij nuk është zbardhur, ka mbetur pa autor, ndërsa Berisha prej 18 vitesh ka heshtur.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related