E vërteta e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri

Data

Për menaxhimin e mbetjeve, Shqipëria ka një legjislacion të gjerë. Ligji bazë është ligji nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i vitit 2011, i cili synon parandalimin e mbetjeve, riciklimin dhe asgjësimin e tyre, për mbrojtjen e shëndetit të njeriut, duke mos vënë në rrezik ujërat, ajrin, tokën, tokën bujqësore, bimët dhe kafshët. Janë 35 ligje, vendime të Këshillit të Ministrave dhe udhëzime të ministrive të linjës, për menaxhimin e mbetjeve.

I gjithë legjislacioni synon grumbullimin e sigurt, riciklimin si dhe asgjësimin, përmes operacioneve të sigurta të mbetjeve që nuk rikuperohen. Një pjesë e legjislacionit parashikon rregulla të hollësishme për ambalazhimin e mbetjeve të rrezikshme, transportimin dhe trajtimin e tyre. Mbetjet e rrezikshme tek ne, si në çdo vend tjetër në botë, prodhohen nga industria, por edhe nga aktivitete si shëndetësia, etj.. Mbetjet e rrezikshme përbëhen nga prani elementësh ndotës apo helmues për mjedisin dhe për shëndetin e njeriut në mbetjet industriale, në mbetjet spitalore, ne vajrat industrialë apo në mbetje ndërtimore. Konventa e Bazelit e vitit 1989, parashikon kushtet shumë të veçanta të transportimit të mbetjeve të rrezikshme. Duhet të jenë kushte të posaçme për transport.

Është e rëndësishme të theksohet se qoftë Konventa e mësipërme e Bazelit për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre, qoftë dhe aktet rregullatore të Bashkimit Evropian apo ato kombëtare për eksportin, tranzitimin dhe klasifikimin e mbetjeve, nuk ndalojnë kurrësesi transportin dhe eksportin e këtyre mbetjeve të rrezikshme, në rastin kur ato nuk janë toksike, por vetëm rregullojnë protokollet dhe procedurat e posaçme të autorizimeve dhe të kontrollit të eksportit të tyre. Tek ne si kudo, kompanitë vendase paguajnë kompani të huaja të specializuara transporti, për dërgimin si eksport të ngarkesave me lëndë të rrezikshme(por jo toksike) jashtë Shqipërisë, në rast se këto ngarkesa kanë vlerë tregtare.

Zakonisht këto dërgesa, sidomos kur bëhet fjalë për mbetje industriale, janë kryer përmes konteinerëve rifuxhio(të mbyllur) në portin e Durrësit. Dërgesat janë transportuar rregullisht në vendet tranzit dhe në destinacionet përfundimtare. Deri tani, nuk ka patur reklamime nga autoritetet portuale të porteve ku dërgesat tranzitohen apo destinohen. Pra, asnjë reklamim apo ankesë, nëse dërgesat kanë patur natyrë toksike apo jo. Nga ana tjetër, është mëse e vërtetë po ashtu, që, në fillim të gushtit 2024, Rrjeti i Veprimit të Bazelit (BAN), një OJQ ndërkombëtare që bën fushatë dhe ushtron kontroll në të gjitha dërgesat botërore me anije dhe jo vetëm, kundër eksporteve të mbetjeve toksike, raportoi se 816 tonë mbetje të rrezikshme furre u dërguan nga Shqipëria në Tajlandë dhe Kinë, në bordin e dy anijeve me kontejnerë të kompanisë së mirënjohur ndërkombëtare të transportit Maersk.

BAN deklaroi se anijet besohej se mbanin pluhur toksik të furrës së çelikut, të mbledhur nga filtrat e kontrollit të ndotjes. Të dyja dërgesat ishin të destinuara, njëra me ngarkesën e emërtuar oksid/hidroksid hekuri (lëndë që nuk klasifikohet toksike), për t’u dorëzuar në Portin Laem Chabang në provincën Chon Buri, Tajlandë dhe tjetra me ngarkesën e emërtuar koncentrat zinku(po ashtu lëndë që nuk klasifikohet toksike), për në Portin e Nanning, në Kinë

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related