Ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi paralajmëroi se shumë shpejt Prokuroria e Posaçme pritet të përfundojë hetimet për dosje të tjera “bombastike” në lidhje me inkriminalitetin e figurave politike. Në një intervistë për gazetën ai u shpreh se shumë zyrtarë të lartë të shtetit, ministra e ish-ministra, Vitin e Ri nuk do ta hanë në shtëpi. Sipas informacioneve të Z.Prençi, SPAK ka në proces hetimor në fazën e mbylljes, disa ngjarje shumë të rënda dhe shumë të bujshme të cilat do të hanë koka të mëdha. Ai thotë se një pjesë do të përfundoj pas hekurave brenda muajit shtator, e një pjesë brenda muajit tetor. Po ashtu ish-drejtori i Emergjencave Civile zbulon se kreu i SPAK, Altin Dumani disponon dekriptime të bisedave telefonike të shumë punonjësve të policisë, të prokurorisë, të gazetarisë, të institucioneve të tjera e në mënyrë të veçantë disponon dokumente të kryetarëve të bashkisë, të shumë ministrave dhe shumë deputetëve e ish-ministrave që kanë biseduar dhe hartuar plane me grupet kriminale për të vrarë njerëz.
Lidhur me vrasjet e fundit dhe krimin e ulur “këmbëkryq” në Shqipëri, Z.Prençi tha se përsa kohë politika iu jep mbështetje grupeve kriminale, qoftë në bazë apo në qendër nga qeveria duke i shpërblyer me tendera apo fonde publike, atëherë është e pamundur që Policia të menaxhojë dhe të kontrollojë territorin në raport me luftën polici-kriminalitet. Po ashtu, ai thotë se situata shkon akoma më e rëndë kur me grupe kriminale komunikojnë ministra e deputetë të cilët kanë influencë e lëvizin dhe emërojnë shefa komisariatesh ashtu siç ua kërkojnë grupet kriminale. Në fund, Z.Prençi teksa komentoi dosjet përvëluese në SPAK, tha se disa çështje të veçanta kërkojnë hetim ndoshta dhe 3-4 muaj për të përmbyllur me sukses të gjithë të implikuarit të veprimtarisë kriminale dhe çështje shumë të rënda dhe të rëndësishme për opinionin publik shqiptar.
-Zoti Prençi, krimi duket se është ulur ”këmbëkryq” në Shqipëri. 6 të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i kësaj jave. A duhet të mbajë përgjegjësi ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe zinxhiri drejtues?
Natyrisht për të gjithë kriminalitetin në vend mban përgjegjësi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në qendër dhe në bazë por në mënyrë të veçantë është konstatuar se këtë vit, nuk ka patur një plan të detajuar për evidentimin e konflikteve dhe sidomos në kuadër të qarkullimit masiv të emigrantëve që vijnë për pushime në verë në vendin e tyre. Më së shumti Policia është investuar te kontrolli i territorit për kultivimin e bimëve narkotike të cilat po vetë Policia dhe pushteti vendor i ka lejuar kultivimin e këtyre bimëve narkotike. Po të shikoni në Shkodër jo vetëm janë kërcënuar, madje janë gjuajtur me armë efektivët për shkak të detyrës në asgjësimin e mbi 1 milion rrënjëve bimë narkotike. Si është e mundur që kjo polici zbaton ligjin e kontrollit të territoreve, ka lejuar kultivimin e mbi 1 milion bimë narkotike. Sepse ne e dimë mirë që policia rrallëherë mund të shkojë në asgjësimin e gjysmës së numrit total të kultivimit të bimëve narkotike. Kjo është panorama dhe situata alarmante ku Ministria e Brendshme e ka humbur betejën në luftën ndaj krimit pasi grupet kriminale kanë mbështetje në qendër dhe në bazë.
Të gjitha grupet kriminale janë të favorizuara nga deputetët që kanë potencial në pushtetin e PS e në mënyrë të veçantë kryetarët e bashkive. Këto të fundit i marrin në mbrojtje grupet kriminale, të fortit e rajonit të qarkut apo të bashkisë pasi kanë detyrime në menaxhimin e votës në kohën e fushatave zgjedhore. Përsa kohë politika iu jep mbështetje grupeve kriminale, qoftë në bazë apo në qendër nga qeveria duke i shpërblyer me tendera apo fonde publike, atëherë është e pamundur që Policia të menaxhojë dhe të kontrollojë territorin në raport me luftën polici-kriminalitet. Situata e ditëve të fundit, asnjëherë nuk ka marrë vëmendjen e duhur që mendjen e qeverisë për të analizuar situatën kriminale në Shqipëri, E keqja është se ministri i ri i Brendshëm, vjen nga radhët e Policisë por mesa duket nuk ka mbështetjen e duhur politike pasi në të kundërt duhet të kishin filluar disa ndryshime në Policinë e Shtetit. Në këtë organizatë dhe qeveri se nuk e merr vendimin ministri i Brendshëm për të pozicionuar njerëz me integritet e të ndershëm për të luftuar krimin por po ndikon politika. Me emërimin e ri të ministrit të Brendshëm që nuk po bën asnjë ndryshim tregon që të gjitha emërimet bëhen me urdhër të Edi Ramës dhe një mënyrë të veçantë nga deputetë më influencë në rajone dhe e në bashki të ndryshme.
