Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpenzuar gati 60 milionë euro në dy zgjedhjet e fundit, ato parlamentare të vitit 2021 dhe zgjedhjet vendore të vitit të kaluar. Barrën kryesore të kostos e mban përdorimi i teknologjisë në proces. Identifikimi elektronik u prezantua në të gjithë vendin në vitin 2021, ndërsa votimi elektronik u pilotua fillimisht në njësinë numër 10 në Tiranë për zgjedhjet parlamentare dhe më pas në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë për zgjedhjet lokale të 2023. Kostoja e lartë e tenderave të KQZ-së për aplikimin e teknologjisë në këto procese ka aktivizuar Prokurorinë e Posaçme, që po verifikon procedurat e ndjekura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në tenderat e zhvilluar në vitet 2020 dhe 2021.
SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar, pasi është ende në fazë verifikimi. Burime të “Top News” pohojnë se në lupën e prokurorëve të posaçëm janë dy procedurat e zhvilluara në atë kohë për votimin dhe identifikimin elektronik në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Kostoja e zgjedhjeve të atij viti kapërceu në mbi 35 milionë euro, ku 20 milionë euro shkuan për pajisjet e identifikimit elektronik dhe 10 milionë euro të tjera për projektin pilot të votimit elektronik. Për identifikimin elektronik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikonte fillimisht një kosto prej 17 milionë eurosh. Në tenderin e hapur u paraqitën disa oferta, por që u skualifikuan, ose u tërhoqën nga gara për të lënë vetëm një kompani në fund me ofertën prej 20 milionë eurosh. Në këto kushte, KQZ nisi negocimin e drejtpërdrejt me këtë kompani për realizimin e identifikimit elektronik, në përmbushje të detyrimeve që i buronin këtij institucioni nga parashikimet e Kodit Zgjedhor.
SPAK “troket” tek KQZ
Ndërkohë bëjmë me dije se Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkon dokumentacione nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për tenderin e pajisjeve elektronike. Kërkesa e drejtuar ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mban emrin e kreu të SPAK, Altin Dumani dhe është firmosur më datë 16 gusht 2024. “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për nevoja të hetimeve që po zhvillohen kërkon nga ana juaj dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit me nr.”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave”, thuhet në kërkesë.
KQZ-ja në “lupën” e SPAK, gazetari jep detajet
Nga ana tjetër, gazetari Elton Qyno, ka deklaruar në një media se SPAK po heton dy tenderë në KQZ dhe se ka kërkuar dokumentacionin e plotë. Ai tha se SPAK po heton me qëllimin e vetëm për të hedhur dritë mbi kompaninë fituese e cila është në fakt një kompani holandeze dhe duhet pare marrëdhënia që kjo kompani ka pasur me titullarët e KQZ. “Në fakt është një ngjarje e cila qysh në zgjedhjet e vitit 2023 u denoncua si një situatë korruptive për sa i përket një tenderi të drejtpërdrejtë, pra një tenderi me një marrëveshje të drejtpërdrejtë nga ana e KQZ për sa i përket blerjes së pajisjeve elektronike që do të bënin votimin elektronik.
Bëhet fjalë për pajisjet ku u eksperimentuan fillimisht në qarkun e Elbasanit dhe në disa qarqe të tjera por që më pas pati shumë debat për sa i përket vlerës financiare të tyre dhe në këto kushte që në atë periudhë kishte informacione për një abuzim financiar apo korruptim nga ana e strukturave shtetërore të KQZ. Mesa duket tashmë SPAK ka hapur një hetim për dy procedura tenderuese si ajo e vitit 2020 dhe ajo e vitit 2021 dhe në këto kushte nga ana e SPAK është kërkuar e gjithë dokumentacioni i plotë i këtyre dy tenderave dhe me qëllimin e vetëm për të hedhur dritë mbi kompaninë fituese e cila është në fakt një kompani holandeze dhe padyshim duhet parë për sa i përket marrëdhënies që kjo kompani ka pasur me titullarët e KQZ.
Faktikisht këtu nuk ka pasur ndonjë ofertë nga kompanitë e tjera sepse tenderi ka qenë i drejtpërdrejtë dhe kompania e përzgjedhur me një marrëveshje kontraktuale direkte, nuk e di se si e ka justifikuar KQZ këtë pjesë por mesa duket e ka kryer si këto blerjet që konsiderohen si tenderë sekret dhe në këto kushte e ka motivuar ligjërisht për sa i përket edhe përzgjedhjes së kësaj firme në këtë tender të cilën e kanë shpallur edhe fitues”, deklaroi Qyno.
