Si e humbi qeveria brenda vitit dekoratën “10 milion turistë”

Data

Kjo verë ka ngjallur shumë diskutime rreth pyetjes “Ka apo nuk ka turistë në Shqipëri”? Turizmi është bërë një temë qendrore në vend, sidomos në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, ku sektori pritet të përdoret si kalë beteje nga ana e mazhorancës.

Qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, kanë investuar shumë në nxitjen dhe promovimin e vendit për turistët e huaj. Projekte të dekadës së fundit si “Rilindja Urbane“, apo “Akademia e 100 fshatrave“, që ridizenjojnë sheshet e qyteteve dhe rikonceptojnë fshatin drejt agro-turizmit, janë pjesë e strategjive për ta transformuar vendin në një destinacion turistik deri në vitin 2030. Ndërsa, shumëçka shkruhet në dokumenta, të ashtuquajtura PPP, dhe Investime strategjike ndër më të fundit, Aeroporti i Vlorës, Autostrada Thumanë-Kashar, dhe rishtazi tuneli i Llogarasë, apo “fshatra turistikë” përgjatë Jonit, janë investime që po orientojnë sektorin drejt turizmit të modelit elitar, i dizenjuar të tërheqë klientë me fuqi blerëse më të lartë, në një zonë apo kohë të caktuar.

Shqipëria, është ndër të fundit vende të Europës që e bëri pjesë të ekonomisë këtë sektor. Turizmi në Europë u zhvillua menjëherë pas luftës së Dytë botërore edhe si një formë e re shkëmbimi mes kulturash pas genocidit të ndodhur në zemër të kontinentit. Vitet 50-70, njihen edhe si vitet e revolucionit kulturor, gjatë të cilit vendet e Europës perëndimore prodhuan muzikën, artin, arkitekturën dhe kulturën politike mbi të cilat ndërtuan themelet e Bashkimit Europian. Promovimi i Shqipërisë, në një destinacion turistik, nisi menjëherë pas rënies së komunizmit, me ngritjen e Republikës së re post-diktatoriale. Ligji i parë për Turizmin, në vitin 1993, synonte të nxiste investime në modelin e “fshatrave turistikë” dhe hoteleve, kryesisht përgjatë Adriatikut dhe në zona me potencial turistik. Më tej, sektori u nxit me fushata mediatike për atraksionet turistike të Shqipërisë, në 2007 dhe 2015, shoqëruar me ligje të reja (2007; 2018) për të ardhur tek strategjitë e ndërtuara për turizmin, 2015-2019, dhe 2019-2023.

2020-ta, ishte viti më i keq për sektorin e turizmit në të gjitha vendet, si pasojë e mbylljes globale nga pandemia e COVID-19. Por, ndryshe nga shumë shtete të tjera të Europës, vendi ynë u hap më herët për turistët ndërkombëtarë. Duke shfrytëzuar kështu mbylljen e vendeve të tjera, zbutja e masave mbrojtëse dhe kontrolluese, i dha shtytjen sektorit, për ta nxjerrë nga rënia prej -59% nga 2019, në plus 114% brenda 2021. Operacion ky, që nga njëra anë avantazhoi vendin në thithjen e lëvizjeve të para turistike post pandemike, por nga ana tjetër rriti në maksimum rrezikun e ekspozimit ndaj virusit, për popullatën vendase (të prekur mbi 75% e popullsisë). Ndërsa në Europë turizmi pa një rënie prej 74%, në Shqipëria, referuar INSTAT, rënia ishte vetëm 58.5%.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related