Të gjitha deklaratat/ Vrasja në Pogradec, pse institucionet u mbytën “me një pikë ujë”

Data

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Korçës janë përfshirë në një spirale të shëmtuar përplasjesh publike e mediatike, pas vdekjes tragjike të 42-vjeçari Egli Proga në Pogradec.

Në këtë zhurmnajë të pabukë u përfshirë me deklarata edhe kryeministri Edi Rama dhe Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Proga, i cili administronte një lokal të vogël pranë “Agjencisë”, në qendër të Pogradecit, humbi jetën pasditen e 10 gushtit pas dhunimit fizik (të paktën kështu thuhet zyrtarisht deri më tani) nga 29-vjeçari Denis Meçe.

Ngjarja, përveçse e rëndë, u shoqërua me kakofoni informacioni paraprak, i cili, edhe tashmë, pas 5 ditësh, ka vendosur në një kurs sulmesh e kundërsulmesh Polici-Prokurori, një situatë që nuk mund të thajë aspak lotët e familjes Proga

Egli Proga, sipas familjarëve, qëndroi për rreth 30 minuta i shtrirë në tokë, në qendër të Pogradecit, para se ambulanca ta dërgonte drejt Spitalit të qytetit.

Raportimet paraprake të Policisë ishin që “një person i dehur është shtrirë në tokë”. Pasi ambulanca e dërgoi në spital, ai humbi jetën dhe shkak nuk ishte alkoli, por dhuna e ushtruar ndaj tij.

Policia e rikthye në vendngjarje dhe e rrethoi me shirita “vend krimi”. Kjo sjellje e policisë nxiti aludimet se Komisariati i Pogradecit ka tentuar të fshehë ngjarjen, pasi autori i dyshuar, Denis Meçe ka lidhje të ngushta me Partinë Socialiste në pushtet dhe se ai është pjesë ose drejton një grup gjobvënësish ndaj bizneseve të qytetit.

Dyshime mbi Komisariatin Pogradec

Pas këtyre zërave, të cilat u përhapën me shpejtësi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi verifikim të rastit, mbrëmjen e 10 Gushtit.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, lidhur me ngjarjen në qytetin e Pogradecit

Bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën një 42-vjeçar…”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit.

“Vrasje nga pakujdesia”

Pas arrestimit të autorit të dyshuar të vrasjes, Denis Meçe dhe tre të tjerëve, të dyshuar për moskallëzim krimi, rasti iu referua Prokurorisë së Korçës.

Prokurorja Vasjana Postol kërkoi nga gjykata caktimin e masës “arrest me burg” për Meçen, nën dyshimet e kryerjes së veprës penale “vrasje nga pakujdesia”, ndërkohë që për tre të tjerët u kërkua masa “detyrim për paraqitje”.

Në 12 Gusht, gjykata pranon kërkesën e prokurores.

Deri në këtë pikë, opinioni publik reagoi me skepticizëm për rolin e institucioneve ligjzbatuese dhe të drejtësisë. Por, kur secili prej aktorëve institucionalë hapi letrat e veta, situata u baltos fare.

Rrumbullaku sulm Prokurorisë

I pari që hapi letrat e tij ishte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për media paraditen e 14 Gushtit.

Ai mohoi dyshimet mbi shefin e Komisariatit të Pogradecit, Elton Halili, mohoi aludimet për histori “gjobvënie” dhe deklaroi se ngjarja ishte për shkak të një konflikti të çastit. Rrumbullaku rezervoi edhe një thumb të madh për Prokurorinë e Korçës.

“S’ka lidhje me gjobëvënien, është konflikt i çastit. Falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”. E theksoj, “Vrasja me dashje”! Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën Policia e Shtetit ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që, as nuk na takon, as kemi tagrin ta komentojmë.”, deklaroi Rrumbullaku.

Justifikimi i Bratajt të Urgjencës

Pas Rrumbullakut, reagoi në mënyrë reaktive Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili mohoi pretendimet e familjes Proga se ambulanca erdhi me shumë vonesë në vend-ngjarje.

Pacienti është vendosur në auto ambulancë në orën 19:20 dhe është drejtuar drejt spitalit të Pogradecit. Rezulton që në 11 minuta nga ora 19:20 deri në 19:31 që ka mbërritur në spitalin e Pogradecit, pacienti është asistuar nga ekipi mjekësor, mjekë infermierë që i kanë bërë masazh dhe ventilim të pacientit. Na rezulton një total rreth 20 minuta i gjithë misioni nga kërkesa për ndihmë deri në përfundim të misionit të ekipit mjekësor”, tha Brataj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related