Milani s’heq dorë nga Broja, tjetër përpjekje për ta veshur kuqezi në Itali

Data

Adriatik BALLA

Nga kuqezinjtë e përfaqësueses i vetmi lojtar që nuk ka ende një destinacion për sezonin e ri është Armando Broja, i cili do të shitet nga Çelsi, por nuk kuptohet se në cilën skuadër do të përfundojë. Në fakt, ka një rikthim të interesit nga Milani. Kështu, klubi italian synon të bëjë lëvizjet e fundit në merkaton e verës, pas një sezoni që përfundoi duke u renditur në vendin e dytë dhe pas ndryshimit në pankinë me Paulo Fonseka që mori drejtimin e skuadrës si pasues i Stefano Pioli, në mënyrë që të rritet dhe të luftojë për titullin e Serie A. Klubi italian vazhdon të qëndrojë në lojë për afrimin e Jusuf Fofana, me lojtarin e Monako që po ashtu e dëshiron këtë lëvizje. Klubi francez mbetet një pengesë dhe nuk dihet nëse mesfushori do të veshë fanellën “kuqezi” këtë sezon apo do të duhet të presë deri në përfundimin e kontratës në verën e 2025-ës që të lëvizë me parametra zero drejt Milanos. Në një rast të tillë “Djalli” do të kthente fokusin nga Kardozo i Betis, në mënyrë që Fonseka të ketë mesfushorin që i duhet në ekip. Teksa, sa i përket repartit të sulmit gjithmonë e më shumë mediet italiane po raportojnë për vëmendjen e madhe që Milani është duke i kushtuar situatës së lojtarit të kombëtares shqiptare, që është pjesë e Çelsit, Armando Brojës. Broja ka kontratë deri në 2028-ën me Çelsin, por duke qenë se “blutë” e Londrës janë në një situatë kaotike nga numri i lartë i lojtarëve që kanë në pronësi, një gjë e tillë mund ta favorizojë Milanin për të bërë të mundur transferimin e shqiptarit në këto ditë të mbetura të merkatos. Ndërkohë, sipas “Tuttosport”, kjo situatë shkon në favorin e kuqezinjve italianë që janë në ndjekje të sulmuesit prej kohësh dhe duke parë se me nxjerrjen jashtë skuadre të Brojës edhe pretendimet e londinezëve për vlerën e kartonit të tij do të bien, mund të hedhin hapin përfundimtar për të siguruar firmën.

Ndoji zbret në Serie C, por me Latinën shpreson të lerë gjurmë

Aventurë e re për Emanuele Ndojin, ish-mesfushorin e kombëtares shqiptare. Autor i 6 ndeshjeve dhe një goli me kuqezinjtë. 27-vjeçari mirditor është zyrtarizuar si futbollisti më i ri i Latinës, skuadër që garon në Serie C, divizioni i tretë i futbollit italian. Ndoj i kaloi vitet më të bukura te Breshia, skuadër me të cilën zhvilloi 138 ndeshje mes Serie A dhe Serie B. Por dëmtimet e shpeshta e frenuan dhe kanë patur ndikim të madh që karriera e tij të mos merrte drejtimin e merituar. Gjysmën e dytë të edicionit të fundit e kaloi te Katania në vendlindje, ndërkohë që tani riniset nga Latina. Ekip që kërkon të hedhë hapin e madh dhe ka si objektiv rikthimin në Serie B.

Suksesi/ Tuci gjen golin e parë sezonal në kampionatin çek

Indrit Tuci ka gjetur golin e parë të sezonit të ri në kampionatin e Republikës Çeke, duke ndihmuar Sparta Prague që të fitojë me rezultatin 1-2 në transfertën e Bohemians. Ndeshja e vlefshme për javën e katërt u mbyll me fitoren me përmbysje të Sparta Pragues. Në momentin që vendasit ishin në avantazh, Tuci gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 45+4’, duke barazuar për skuadrën e tij, e cila fitoi pas golit të realizuar nga Birmancevic në minutën e 61-të. Pas kësaj fitoreje Sparta Prague kryeson kampionatin çek me 12 pikë, pesë më shumë se Slavia Prague e vendit të dytë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related