Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mbetet në qeli për skandalin e zhvatjes së fondeve të BE-së nëpërmjet agjencisë SASPAK. Pas shtyrjes nga data 5 Gusht, Gjykata e Posaçme mori ditën e djeshme vendimin për ish-ministrin dhe 6 të dyshuarit e tjerë, prej të cilëve dy në paraburgim. Ish-zyrtari i lartë që dha dorëheqjen pas hetimeve dhe marrjes i pandehur për dosjen e parë të koncesioneve në Shëndetësi, kur gjykohej në gjendje të lirë, kishte kërkuar lirimin për dosjen e dytë, kundrejt garancisë prej 5 milionë lekëve, por kjo nuk iu mor parasysh. Avokati pretendoi se ish-ministri Beqaj nuk përbën rrezik arratie apo shoqërore, për të prishur provat dhe penguar prokurorët, por GJKKO njoftoi se nuk i ndryshon masat “arrest me burg” apo derivatet e tyre penale për të 7 të dyshuarit. Beqaj dhe dy prej të dyshuarve kanë masat shtrënguese “arrest me burg” dhe qëndrojnë në qeli prej disa javësh, kurse për 4 të tjerët ka arrest shtëpiak dhe detyrim paraqitjeje.
Provat e fundosjes së Beqaj
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish-ministri, përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij. Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landways International’. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro. Ish-ministri ndodhet i pandehur po në GJKKO edhe për koncesionet 100 mln euro të Shëndetësisë, dosje për të cilën SPAK ka nën akuzë 8 persona, mes tyre të ndaluarit ish-zv/ministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Por për këtë dosje ndaj Beqajt nuk ka pasur masë shtrënguese dhe ndiqej në gjendje të lirë, derisa u zbulua skandali me fondet e agjencisë.
Çfarë ka ndodhur?
Ish-ministri i Shëndetësisë,Ilir Beqaj është arrestua pak javë më parë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Masa e sigurisë ndaj Beqaj është marrë me kërkesë të SPAK, si pjesë e hetimeve për abuzime me fondet e BE-së gjatë periudhës që Beqaj mbante postin e drejtorit të SASPAC. Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pasi ish-ministri i Shëndetësisë u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët dyshojnë se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive. Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmori më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani. Përveç hetimit për abuzimit me fondet e SASPAC, Ilir Beqaj është nën akuzë për shpërdorim detyrë për kontratën koncesionare për instrumentet kirurgjikale. “Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt.
Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “Gzona”. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj me restorantin “Gzona””, njoftoi SPAK. Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.Prokuroria e Posaçme nënvizon se Ilir Beqaj ka investuar vetëm në vitin 2019 në Restorant Gzona mbi 100 mijë euro (21.411 euro dhe 4.666.110 lekë për blerje të pajisjeve dhe 34.783 Euro pagesë qiraje e të tjera). Të gjitha këto shpenzime nuk i ka deklaruar. SPAK thotë se të gjitha interesat në restorant, Beqaj i ka ushtruar për Kurtulajt, i cili ka administruar, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.
