Deputeti i Partisë Socialiste Vullnet Sinaj ka reaguar ditën e djeshme pas kërkesës së Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, pasi sipas opozitës ai ka përfituar para nga buxheti i shtetit përmes bizneseve të tij. Sinaj ka hedhur poshtë çdo pretendim të tyre përmes një postimi në rrjetet sociale duke sqaruar se ai që prej 2017-s ka hequr dorë nga administrimi i bizneseve të tij gjatë kohës që ushtron mandatin e deputetit. “Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit”, shkruan deputeti i Vlorës në reagimin e tij. Kujtojmë se Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, deputeti socialist ka përfituar miliona lek nga buxheti i shtetit përmes kompanisë së tij private.
“Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit. Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend”, u shpreh PD.
