Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se vrasja e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh “nuk i ndihmon” bisedimet për një armëpushim të mundshëm në Gaza.
Haniyeh u vra gjatë një vizite në kryeqytetin e Iranit, Teheran, të mërkurën. Irani dhe aleatët kanë fajësuar Izraelin, megjithëse Izraeli ende nuk ka komentuar për vdekjen e tij.
Haniyeh ishte zyrtari më i lartë i Hamasit dhe ishte shumë i përfshirë në bisedimet për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve nga baza e tij në Katar.
Biden u shpreh se ishte shumë i shqetësuar për rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Izraeli dhe Hamasi rifilluan kohët e fundit bisedimet indirekte për të arritur një armëpushim në luftën në Gaza.
Në fillim të kësaj jave, Izraeli dhe Hamasi akuzuan njëri-tjetrin për pengim të përparimit të bisedimeve. Hamasi tha se Izraeli kishte vendosur kushte të reja, ndërsa zyra e Netanyahu u shpreh se Hamasi kishte kërkuar 29 ndryshime në propozim.
