Një skandal diplomatik është regjistruar pasditen e djeshme në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, ku Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është tentuar t’i merret celulari personal nga sigurimi i aeroportit. Kjo ka shënuar edhe një konfrontim mes sigurimit apo stafit të Presidentes Osmani dhe sigurimit të aeroportit të Shkupit. Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina ka thënë se në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’i marrë telefonin personal presidentes. “Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave që ekipi i presidentes i ka bërë zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten. Këtu ka reaguar Policia e Kosovës për të hapur rrugën.
Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”, ka thënë Kupina në reagim. Sipas Kupinës, edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal. Për këtë ngjarje reagoi dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti. “Jemi duke u marrë me rastin në fjalë. Do ketë kumtesë për media. Ka qenë më shumë keqkuptim, gjithçka është në rregull”, tha Mexhiti.
