Dosja “Toyota Yaris” është sërish në qendër të “vëmendjes” nga Belgjika, pas trazirave që shkaktoi në vitin 2018 në politikën shqiptare. Pushtetari i radhës për t’u bërë kurban mesa duket është Taulant Balla, pasi është i dyshuari kryesor i implikuar në këtë aferë. Lidhur me ditët e errëta që priten për ministrin e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin ka hedhur dyshime të forta dhe gazetari i njohur Artan Hoxha. Ai shkruan përmes rrjeteve të tij sociale se belgët nuk janë të kënaqur me drejtësinë në Shqipëri dhe janë në kërkim të pronarëve të vërtetë të 3,4 mln euro cash që vinin me trajle transportuese makinash nga Belgjika më 2018-ën.
Hoxha gjithashtu paralajmëron zhvillime të bujshme, duke theksuar dhe përfitimet që janë bërë nga sponsorizimi në fushatat elektorale.“Më duket se dosja “Toyota Yaris (Auris)”, e Prokurorisë Federale të Belgjikës, sapo ka nisur të bëj “kurbanet” e parë në Shqipëri!!!! Federalët belg nuk qenkan kënaqur me “transportuesit”. Më duket po kërkojnë pronarët e vërtetë të parave dhe kush përfitoi nga sponsorizimi në fushatat elektorale?! Pak halle kemi ne këto kohëra qameti edhe këta kishim mangut…”, shkroi dje gazetari Artan Hoxha.
Implikimi Ballës
Në muajin prill, Balla ka qëndruar prej më shumë se 1 orë brenda SPAK. Pas daljes nga godina e drejtësisë së re, Balla e “kyçi” gojën ndryshe nga herët e tjera. Ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentit nuk lë gjë pa promovuar, ashtu siç tregoi për mediat vitin e kaluar kur e thirrën në SPAK për të dhënë dëshminë e tij pas denoncimit për aferën e Klubit Partizani. Mesa duket prokurorët specialë i kanë ngrirë buzëqeshjen. Dosja që e ka mbajtur dhe vazhdon ta përndjekë prej kohësh është ajo e aferës “Toyota Yaris”, e cila po hetohet nga belgët. Janë pyetur shumë dëshmitarë dhe shkëmbyer letër-porosi mes SPAK dhe Belgjikës pikërisht për këtë çështje, por edhe për grupe të tjera kriminale të lidhura me politikën.
Belgët madje kanë zbarkuar edhe në Shqipëri për të hetuar nga afër situatën. Për të avancuar hetimet, prokurorët thirrën edhe gazetarin Artan Hoxha në vitin 2022 në Belgjikë. Këto fakte i konfirmoi dhe denoncuesi i kësaj dosjeje nga Lulzim Basha, i cili ka thënë disa kohë më parë se “jam njeriu më informuar pas Ramës. Unë di më shumë se kaq. Nuk flas dot më shumë sepse dosja Toyota Yaris është në hetim. Po hetohen edhe anëtarët e mazhorancës.” Akuza ka patur nga opozita gjithë këto vite, ku sipas tyre Balla do merrte pjesën e tij në këto para dhe një pjesë tjetër do shkonte te policia.
