Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se pazari i ndyrë për mbylljen e listave është një shuplakë ndaj qytetarëve dhe një tjetër goditje ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Në një postim në Facebook, ai shkruan se sabotimi i Reformës Zgjedhore prej frikës që Rama dhe Berisha kanë nga listat e hapura, është një tjetër dëshmi sesi të dy bashkë po punojnë për të mbajtur në këmbë sistemin e përçudnuar që ndërtuan në 2008-ën.
Basha gjithashtu thotë se çdo deputet që me votën e marrë nga qytetarët dhe opozitarët bëhet pjesë e këtij pazari për të mbyllur listat, bëhet pjesë e pazarit për shitjen në tavolinë të zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë ai shprehet se Demokratëtë Euroatlantikë refuzojnë me forcë këtë allishverish mes Ramës e Berishës, dhe i bën thirrje çdo deputeti të votojë në interes të qytetarëve.
