Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një postim në rrjetet sociale kujtoi dje gjyqtarin italian, Paolo Borsellino, i cili u vra nga mafia në moshën 52-vjeçare më 19 korrik 1992. Meta theksoi se Borsellino dhe kolegu i tij, Giovanni Falcone, paguan me jetë për luftën kundër mafias. Ai thotë se Shqipërisë i mungojnë prokurorë të tillë, duke shtuar se vendi është në një situatë ku “mafia ka shtetin e vet”. Meta përfunduan duke theksuar se përmbysja e kësaj gjendjeje është e pashmangshme.
“Paolo Borsellino, si kolegu i tij Giovanni Falcone, e pagoi me jetë, 32 vite më parë, luftën e drejtë kundër mafias! Në funeralin e Falcones ai iu drejtua prokurorëve më të rinj: “Unë i kam dhënë fjalën Falcones e do t’i shkoj deri në fund. Ju jeni me fat se nuk ia keni dhënë fjalën askujt. Por duhet ta dini se çdo njeri është i vdekshëm në këtë botë. I pavdekshëm është vetëm ai ideja e të cilit vazhdon të ecë me këmbët e të tjerëve edhe kur ai nuk jeton më.
Ndaj Falcone është i pavdekshëm se nga sot ideja e tij do të ecë me këmbët e mia” Fjalë burri, patrioti, prokurori dhe siçiliani! Shqipërisë sot i mungojnë prokurorë të tillë ndaj jemi një shtet që nuk kemi mafian tonë, por ku mafia ka shtetin e vet. Përmbysja e pashmangshme!”, shkroi Meta në “Facebook”.
