Pas thirrjes së Bashës, “Apeli” zbardh vendimin, hapet rruga për rekurs të menjëhershëm në Gjykatën Lartë, ja pse…

Data

Pas thirrjes së Lulzim Bashës, Gjykata e Apelit ka zbardhur vendimin për vulën e Partisë Demorkatike, duke i hapur kështu rrugë rekursit të menjëhershëm në Gjykatën Lartë. Apeli i dha të drejtën e vulës, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe rrëzoi ankimin e bërë nga Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj. Por nëse shohim me kujdes vendimin, Gjykata e Apelit duhet te bënte gjykim në themel të çështjes, gjë që nuk e ka bërë siç ja ka kërkuar Gjykata e Lartë. Kjo do të thotë se kur çështja të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, shanset që vula e PD t’i hiqet Sali Berishës janë të mëdha. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Detaje nga vendimi

Gjykata e Apelit argumenton se autorizimi i Lulzim Bashës për Enkelejd Alibeajn nuk kishte më vlerë juridike pas dorëheqjes së tij publike. “Gjykata e Apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimnarrëse në procesin zgjedhor. Sipas vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të KAS të lënë në fuqi me vendimin nr.5 datë 27.03.2023 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, PDSH është përfaqësuar në zgjedhjet vendore të vitit 2023 me nën/kryetar z.Enkelejd Alibeaj, për shkak se është pranuar që kryetari z.Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje në datë 21.03.2022.

Nga këto akte provuese, provohet se z.Lulzim Basha nuk ka qenë organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, në momentin e regjistrimit të ankimit 04.04.2022, pasi është njohur dorëheqja e tij në datë 21.03.2022. Autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Në rastin e autorizimit\prokurës së lëshuar nga personi juridik, nënshkruesi i saj nuk delegon tagra personale por tagra që lidhen ekskluzivisht me detyrën apo pozicionin përkatës. Efektet juridike të autorizimit apo vlefshmëria e tij mbaron automatikisht me mbarimin apo humbjen e kompetencave të personit nënshkrues të autorizimit. Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z.Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qënë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike.

Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”. Në kushtet kur përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë pas mbarimit të efekteve juridike të autorizimit, ankimi/apeli i paraqitur nga ky përfaqësues konsiderohet si ankim i bërë nga një person që nuk legjitimohet, si përfaqësues pa tagra. Për sa më sipër, Gjykata e apelit vlerëson se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj nuk plotëson parakushtet formale-procedurale për shqyrtimin e tij, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim dhe si i tillë në bazë të nenit 450/ç të KPC, i ndryshuar, nuk duhet të pranohet”, theksohet në vendim.

Reagon Basha
Ndërkohë ka reaguar Lulzim Basha në rrjete sociale, i cili paralajmëron se së shpejti do të bëjë rekurs këtë vendim të Apelit në Gjykatën e Lartë. “Zbardhja e vendimit skandaloz të 11 qershorit, i hapë rrugë rekursit tonë të menjëhershëm në Gjykatë të Lartë. Ne nuk e pranojmë padrejtësinë. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related