Sali Berisha “përzë” Genc Gjokutajn, ish-kryeministri thërret për ta mbrojtur për aferën “Partizani” avokaten e…

Data

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi nuk heqin dorë nga kërkesa për revokim të masave “arrest në shtëpi” sa i takon aferës “Partizani”. Të njëjtën kërkesë ata e paraqiten edhe në seancën e kësaj radhe, pra dje, ku u njohën me hetimet dy mujore, ndërsa gjykata do të shprehet ne 30 korrik. Berisha kësaj here përfaqësohej nga avokatja Klodian Gjyzari e cila mbrojti edhe Fredi Belerin. Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 30 korrik vendimin nëse do të pranojë apo jo kërkesën e avokatëve të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, që kërkojnë revokim të masës “arrest në shtëpi”.

Në seancën e kësaj të premteje ish-kryeministri Berisha kishte ndërruar mbrojtës dhe përfaqësohej nga avokatja Klodiana Gjyzari, e cila më herët ish-kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Belerin. Ndërkohë mungonte avokati Genc Gjokutaj. Prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja paraqiten rezultatet dy mujore të hetimeve, ku nga avokatët për disa akte u kërkua papërdorshmëria dhe pavlefshmëria e tyre. Ndërsa në lidhje me kërkesën e avokatëve një seancë me parë për t’i marrë falas fashikujt hetimor, edhe SPAK edhe GJJKO pranuan që materiali ,t’u vihej në dispozicion në mënyrë elektronike. Edhe në ketë seancë SPAK kërkoi vijimin e masës “arrest shtëpie” si për Berishën ashtu edhe për dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, deri në përfundim të hetimeve.

Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla. Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.

Berisha: Rama urdhëroi mercenarët të zgjasin hetimet ndaj meje

Ndërkohë dje kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal te vendimi i gjykatave të dirigjuara nga Edi Rama, siç i quan ai GJKKO e SPAK, për të zgjatur edhe me tre muaj të tjerë hetimet ndaj liderit të opozitës. “Sot ishte një seancë me Irenën me pesë mbiemra, delinkuenten Gjoka që ka pafytyrësinë dhe paturpësinë të qëndrojnë në detyrë kur vendin e ka në burg se ka shkelur ligjin. Sot, miqtë e mi, çfarë rezultonte? Edi Rama kishte urdhëruar mercenarët e vërtetë që të kërkojë zgjatjen e hetimit. Por duhet t’u informoj ju dhe shqiptarët se kjo është radha e tretë që në asnjë nga dokumentet e dorëzuara nuk citohet emri i Sali Berishës. Sepse këta mercenarë nuk gjejnë dot edhe 100 vjet po të kontrollojnë asgjë, por vetëm zbatojnë verbërisht si mafiozë, pa moral, pa karakter, si njerëz të marrë peng, urdhrat e Edi Ramës. Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë pavarësisht nga kushtet, pavarësisht nga sakrificat, por e vërteta nuk mbrohet kurrë pa sakrifica”, deklaroi dje Berisha para mbështetësve nga banesa ku qëndron i izoluar.

Kreu i PD: Goja e Sali Berishës nuk mbyllet kurrë

Sakaq lideri i opozitës, Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se goja ime nuk mbyllet kurrë pa mbrojtur interesat e shqiptarëve, interesin kombëtar të shqiptarëve, interesat individuale, dinjitetin e tyre. Berisha ka theksuar se e vërteta është fuqia nukleare e një shoqërie të lirë. “Të dashur miq, përshëndes oratorët tuaj, të cilët kanë bërë avokatinë e vërtetë të procesit politik dhe zbërthimin e tij. Por vetëm dy gjëra do u rikujtoj. Asnjëherë, në asnjë rrethanë, në asnjë të qindtë të sekondës, nuk më ka shkuar mendja para asnjë njeriu që të hesht në mbrojtje të interesit tuaj.

Edi Rama, pasi pagoi dhe korruptoi McGonigal e të tjerë për shpalljen time non-grata, mendoi se ia arriti qëllimit. Harroi fuqinë që ka e vërteta dhe arma e të vërtetës. E vërteta është fuqia nukleare e një shoqërie të lirë. Mjerë ata që besojnë se mund t’i fshehin të vërtetat një kombi dhe një vendi. Ndaj dhe pasi mori dështimin me poshtërsitë e tij, u përpoq me mesazherë krimi, Dumanin, Krajën dhe Mellonain, të më çonin mesazhe se kjo çështje po hetohet. Qeshja me ta. Nuk jeni asgjë tjetër veçse segmente të krimit të Edi Ramës. Goja e Sali Berishës nuk mbyllet kurrë pa mbrojtur interesat e shqiptarëve, interesin kombëtar të shqiptarëve, interesat individuale, dinjitetin e tyre. E kam bërë atë në emër tuaj dhe për ju sepse ndjehem miliona herë i detyruar për besimin që keni shprehur ndaj meje me vota.

E kam bërë atë t’u them ju të vërtetën dhe kurrë nuk ëndërroja se ndonjëherë do votohej për mua. Por besoja se unë duhet të mbroja detyrën time, të mbroja të vërtetat që nuk kisha mbrojtur. Ndaj dhe me këtë motiv, motiv për të mbrojtur disa të vërteta, vendosa 34 vite më parë të kundërshtoj dhe të dal përballë regjimit më të egër, një regjimi që pushkatonte në kufi. Ai vendim më ka shoqëruar mua gjithë jetën, nuk më ndahet mua gjer në minutën e fundit. Ta dini ju se të vërtetën do e mbroj para cilitdo. E vërteta është e Zotit dhe unë nuk tërhiqem kurrë nga mbrojtja e saj”, nënvizoi Berisha dje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related