Hallkat e zinxhirit të vlerës janë përfshirë në konfliktin më të ashpër të regjistruar ndonjëherë në tregjet tona. Rënia e paprecedentë e Euros dhe ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare janë bërë shkak për përfshirjen në konflikt të eksportuesve me prodhuesit e serrave, të fabrikave me fermat blegtorale, bimët mjekësore me kultivuesit, fasonët me nënkontraktorët etj. Në fund të betejës, prodhuesit do të mbajnë peshën më të madhe të humbjeve. Si po ndikohet e gjithë ekonomia
Rënia e qëndrueshme e Euros në këmbim me Lekun vitet e fundit ka rritur konfliktin në tregje si asnjëherë tjetër.
Hallkat e zinxhirit të vlerës, në vend të bashkëpunimit për të rritur fitimet që nga prodhimi, grumbullimi, shpwrndarja, eksporti dhe tregjet e pakicës, këtë vit janë përfshirë në një konflikt të ashpër që rrezikon të çojë në ulje pa kthim prodhimin vendas dhe të dëmtojë më së shumti ata që nxjerrin lëndën e parë për sektorin e përpunimit.
Rënia e kërkesës dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, mungesa e subvencioneve për sektorin e prodhimit dhe sidomos në bujqësi, po shkëput zinxhirin e hallkave të vlerës. Që nga fillimi i vitit 2021 e deri më tani, vlera e Euros ka rënë nga rreth 124 lekë në 100.3 lekë.
Nënçmimi i Euros ndaj Lekut, bashkë me uljen e çmimeve të eksporteve në tregjet ndërkombëtare kanë tkurrur fitimet e eksportuesve. Për shkak të kësaj situate, eksportuesit po ofrojnë çmime më të ulëta për prodhuesit, të cilët në mungesë të subvencioneve, nuk kanë mundësi të shesin lëndën e parë me çmimet e reja, pasi rrezikojnë të falimentojnë.
