Fredi Beleri ka dalë nga burgu i Fierit, pasi do të betohet nesër si eurodeputet i Parlamentit Europian në Francë. Ai është pritur që në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë si dhe makina e ambasadës greke.
Fredi Beleri ka lënë ambientet e burgut të Fierit mëngjesin e së hënës pas lejes së marrë nga Drejtoria e Burgjeve për t’u betuar si eurodeputet në Strasburg. Ai është pritur nga një mjet i ambasadës greke, ku është nisur për Tiranë dhe më pas do të fluturojë drejt Athinës. Në një prononcim për mediat greke, ai tha: “Faleminderit për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i prekur dhe i lumtur, të tjerat do të diskutohen në Athinë”.
Një ditë më parë, Drejtoria e Burgjeve i dha leje pesë ditore për të udhëtuar drejt Strasburgut për t’u betuar si eurodeputet i zgjedhur nga radhët e partisë Demokracia e Re në Greqi. Sipas të dhënave, Beleri pritet të udhëtojë i vetëm drejt Francës, i pashoqëruar nga efektivë të burgjeve, dhe do të qëndrojë atje nga data 15 korrik deri në datë 20 korrik, ditë në të cilat do të zhvillohen edhe punimet e Parlamentit Europian. Beleri ka kërkuar të qëndrojë ne Strasburg për të pakten 5 ditë, e në rast se do t’i duhet më shume kohë qendrimi duhet të komunikojë me komisariatin më të afërt në vendin ku do të qëndrojë, si dhe me institucionet shqiptare.
