Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi dje kryeministrin Edi Rama se edhe ai organizoi atentat ndaj liderit të opozitës në Tiranë. “Miqtë e mi! Si një politikan i cili pak kohë më parë provoi një atentat, jo me plumba por me hekura të organizuar nga Edi Rama, Taulant Balla, Ardi Veliu, me agjentin e policisë kriminale ‘leva’ vetëm e vetëm se Edi Rama donte të kremtonte samitin e liderëve europian në Tiranë, duke i mbyllur gojën opozitës së mallkuar, liderit të saj.
Natyrisht pasi kishte dështuar me të gjitha mjetet e tjera, ndërmori një akt inextremis. Pra e ndjej pak më shumë se të tjerët, aktin e urryer terrorist që u ndërmor mbrëmë për vrasjen e presidentit Donald Trump në aktivitetin elektoral në Pensilvani. Në këtë rast, unë dua të them dy fjalë se mbjellja e urrejtjes ndaj opozitës dhe vendosja e saj në persekutim, proceset politike të pafundme, janë virusi i akteve terroriste.
Janë shpërthimi, apo organizimi i akteve me të cilat synohet të mposhtet vullneti i qytetarëve, të mposhtet vota e qytetarëve dhe të vendoset me metoda të tjera, mesjetare antidemokratike. Në këtë kontekst, unë kam besim se hetimi do të nxjerrë të gjithë përgjegjësitë e këtij atentati terrorist që ka tronditur botën, në Pensilvani”, nënvizoi dje Berisha nga banesa ku qëndron i izoluar.
