Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi pjesërisht ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke sjellë si pasojë mosaplikimin e tatimit 15% menjëherë d.m.th. që nga 1 janari 2024 për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime profesionale ka krijuar një situatë pak konfuze te subjektet që preken nga ky vendim.
Sipas Tatimeve janë 25 mijë subjekte që janë klasifikuar si profesione të lira.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor në datën 27 qershor. Ndërkohë 1 korriku (pasi data 30 ishte e diel) ishte afati i fundit për subjektet që ta paguanin këstet paraprake të tatimit të thjeshtuar për 6-mujorin e parë të vitit.
”Pa u botuar vendimi nuk ka hyrë në fuqi, si rrjedhojë ligji është në fuqi me të gjitha efektet. Pra duhet të paguhet”, thotë Jordan Daci, avokat për çështjet kushtetuese.
Bizneseve nuk u dalin në sistem gjobat
Pikërisht problemi tjetër qëndron te gjoba, në rast se nuk paguhet principali. Neni 114/1 i procedurave tatimore parashikon që mospagimi në afat i kësteve paraprake dënohet me gjobë të masës “0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, por jo më shumë se 365 ditë kalendarike”.
Nga verifikimet e Monitor në terren rezulton se ditën e sotme, të gjitha bizneseve (jo vetëm atyre të profesioneve të lira) nuk u kanë dalë në sistem gjobat. E njëjta gjë ka ndodhur më herët edhe në muajin prill teksa po punohet për zbatimin e një sistemi të ri.
