Kryetari i PR, Fatmir Mediu, u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s në Ballkan të punojnë së bashku për të parandaluar një konflikt të mundshëm, të nxitur nga Rusia. Zoti Mediu, që përfaqëson Kuvendin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, e mbajti këtë qendrim gjatë Sesionit Vjetor të Organizatës në Bukuresht. Të mbledhur për të diskutuar rolin e OSBE-së në arkitekturën aktuale të sigurisë, shqetësimi kryesor i Asamblesë Parlamentare ishte lufta në Ukrainë dhe ndikimi në sigurinë e Europës. Duke theksuar se Rusia ka 16 vjet që po sulmon vendet e tjera, që prej konfliktit me Gjeorgjinë, më pas Krimea dhe tani Ukraina, zoti Mediu vuri në dukje qendrimin e Shqipërisë pro Ukrainës. “Si vend anëtar i NATO-s, ne qendruam përkrah aleatëve tanë dhe shpresoj që Samiti i NATO-s në Uashington do të sjellë më shumë bashkëpunim të frytshëm në mbështetje të Ukrainës, jo vetëm për të ndërtuar mbrojtjen e tyre, por për të fituar luftën kundër së keqes.”- tha zoti Mediu në Sesionin Vjetor të OSBE-së në Bukuresht.
Po ashtu Kongresmrni Joe Wilson Kryetari I Komitetit Helsinkit në Kongresin Amerikan në mbështetje të qëndrimit të z Mediu kërkoj më shumë vëmëndje për Ballkanin.
Me qartësinë se agresioni i Rusisë nuk është i përqendruar vetëm në Ukrainë, zoti Mediu ngriti shqetësimin e veprimit të Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkan përmes luftës hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit. “Situata në Moldavi provon se qëllimi i Rusisë nuk është vetëm Ukraina. Vendet e Ballkanit, janë fortësisht të ndikuara nga lufta hibride nga Rusia, Kina, Irani, që përpiqen të ushqejnë konflikte të reja dhe të fjetura. Situata në Bosnjë Hercegovinë situata në Mal të Zi, situata në Veriun e Kosovës kërkon më shumë vëmendje dhe pjesëmarrje të OSBE dhe të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. “- u shpreh Fatmir Mediu, duke propozuar si zgjidhjen më të mirë bashkëpunimin në rajon, veçanërisht mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. “Në mënyrë që të ndalojmë çdo konflikt të mundshëm në Ballkan, unë besoj se është koha që vendet e NATO-s në Ballkan të punojnë së bashku për të ndërtuar strategjinë e parandalimit politik dhe ushtarak.”- theksoi zoti Mediu gjatë fjalës në Sesionin Vjetor të Asamblesë Parlamentare që po mbahet në Rumani.
Në fund të debateve, Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së do të kulmojë me miratimin e Deklaratës së Bukureshtit, e cila përmban rekomandime në fushën e sigurisë dhe të drejtave të njeriut.
PJESË NGA FJALA E FATMIR MEDIUT NË ASAMBLENË PARLAMENTARE TË OSBE-së
Në fillim të vitit, Shqipëria organizoi Samitin për Mbrojtjen e Ukrainës. Si vend anëtar i NATO-s, ne qendruam përkrah aleatëve tanë dhe shpresoj që Samiti i NATO-s në Uashington do të sjellë më shumë bashkëpunim të frytshëm në mbështetje të Ukrainës, jo vetëm për të ndërtuar mbrojtjen e tyre, por, siç përmendi kolegu dhe miku im i mirë nga Letonia, për të fituar luftën kundër së keqes. Ukraina nuk po lufton vetëm për veten, por por lufton edhe për sigurinë dhe demokracinë e Europës. Në një kohë që mbështesim Ukrainën, le të kuptojmë se Rusia nuk po vepron e vetme, por ka mbështetje Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut. Situata në Moldavi provon se qëllimi i Rusisë nuk është vetëm Ukraina. Vendet e Ballkanit, janë fortësisht të ndikuara nga lufta hibride nga Rusia, Kina, Irani, që përpiqen të ushqejnë konflikte të reja dhe të fjetura. Situata në Bosnjë Hercegovinë situata në Mal të Zi, situata në Veriun e Kosovës kërkon më shumë vëmendje dhe pjesëmarrje të OSBE dhe të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Të nderuar kolegë, në mënyrë që të ndalojmë çdo konflikt të mundshëm në Ballkan, unë besoj se është koha që vendet e NATO-s në Ballkan të punojnë së bashku për të ndërtuar strategjinë e parandalimit politik dhe ushtarak.
