Ngrihet drejtoria antikorrupsion për të hetuar administratën, ja rruga që do të ndiqet për të mbledhur informacione për abuzuesit në spitale, Kadastër, Dogana, Tatime e Postë, zbardhen detajet nga vendimi i qeverisë

Data

Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, (DPAK) e cila ka për mision të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore/entet publike/shoqëritë tregtare me kapital shtetëror. DPAK do të kryejë hetime administrative, për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive. Një ndër detyrat e saj është dhe kryerja e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi thuhet në vendim. Në rastet e hetimeve të thelluara, mund të kërkojë dhe ndihmën e ekspertëve vendas dhe të jashtëm të cilët duhet të ruajnë sekretin hetimor. “ Në rastet e hetimeve të thelluara, për shkak të njohurive të veçanta që kërkon hetimi ose verifikimi i një çështjeje, në grupin e punës së  DPAK-së mund të përfshihen edhe ekspertë të administratës shtetërore dhe/ose ekspertë të jashtëm. Në rastin kur është e nevojshme përfshirja e ekspertëve nga administrata shtetërore, drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së paraqet kërkesën pranë institucionit që mbulon fushën përkatëse për vendosjen në dispozicion të ekspertit/ekspertëve, i cili/të cilët kanë kualifikimet e cilësitë e kërkuara për kryerjen e hetimeve. Titullarët e institucioneve  duhet të vendosin në dispozicion ekspertë nga administrata shtetërore, të cilët përmbushin kriteret përkatëse. Ekspertët e administratës shtetërore e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën drejtimin e drejtuesit të grupit të hetimit të thelluar, sipas përcaktimeve të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së dhe brenda afatit të përcaktuar në këtë urdhër. Ekspertët e administratës shtetërore dhe ekspertët e jashtëm, të angazhuar në hetime të thelluara sipas përcaktimeve të këtij kreu, nënshkruajnë deklaratë konfidencialiteti”, thuhet në pikat 10, 11, 12, 13 të këtij vendimi.

Funksioni

Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit (DPAK) do të ketë për funksion mbledhjen e informacionit për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive nga burime të ndryshme dhe të kryejë hetime administrative, për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive.  Në çdo rast, në përfundim të hetimit hartohet raport përfundimtar, i cili i propozohet për miratim drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së. Në rastet e dyshimit të arsyetueshëm dhe administrimit të provave për praktikën korruptive, kjo drejtori paraqet kallzim penal në prokurori.

DPAK do jetë në varësi të kryeministrit

Struktura dhe organika e DPAK-së miratohen me urdhër të Kryeministrit. Drejtori do të jetë në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin, në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit. Përgjigjet para tij dhe kryeministrit. Drejtori i Përgjithshëm emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit. Ndër kriteret e përzgjedhjes së kandidatit për drejtor është dhe fakti që duhet të jetë shtetas shqiptar  s’duhet të jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake të paktën 5 (pesë) vitet e fundit para emërimit dhe as të ketë konflikt interesi.

Koordinator në çdo institucion

Vendimi parashikon po ashtu edhe institucionet, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, ku krijohet pozicioni i koordinatorit kundër korrupsionit. Janë 26 institucione mes tyre dhe spitale, agjenci e drejtori. Kjo strukturë do të shtrijë veprimtarinë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ka një sërë kompetencash. DPAK-ja bashkëpunon me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe çdo platformë tjetër të ankesave publike on-line. Po ashtu, bashkëpunon e merr informacion nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim për raste korruptive.

Sa do paguhen?

Përveç pagës mujore, nëpunësit e DPAK-së përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën:

– 65 000 lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon hetimin, analizën dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve;

– 40 000 lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit.

Ja 26 institucionet që do kenë koordinator kundër korrupsionit

  1. Operatori i Blerjeve të Përqendruara, sh.a;
  2. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
  3. Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
  4. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
  5. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural;
  6. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në nivel qendror dhe në drejtoritë vendore, sipas përcaktimit të DPAK-së;
  7. Agjencia e Trajtimit të Pronave;
  8. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
  9. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
  10. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
  11. Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar;
  12. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
  13. Instituti i Shëndetit Publik;
  14. Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit;
  15. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
  16. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
  17. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial;
  18. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë;
  19. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor;
  20. Posta Shqiptare;
  21. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”;
  22. Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”;
  23. Spitali Universitar i Traumës;
  24. Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”;
  25. Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”;
  26. Shërbimi Social Shtetëror.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related