Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur të lërë dje në fuqi dënimin me dy vite burg, të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, duke venitur kështu shpresat e tij për të dalë nga qelia. Gjithashtu vendimi i GJKKO, për shërim prove është lënë në fuqi edhe për Pandeli Kokaveshin. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.
Himara në zgjedhje të parakohshme
Por çfarë ndodh tani me drejtimin e Himarës, kur kryebashkiaku i zgjedhur, Fredi Beleri është tashmë një i dënuar me vendim të formës së prerë për krime zgjedhore? Ai nuk mund ta gëzojë më këtë mandat për shkak të ligjit të dekriminalizimi. Ligji parashikon se qeveria e shkarkon një kryebashkiak kur dënohet nga apeli i një gjykate, dhe njofton Presidentin e Republikë, i cili cakton datën e zgjedhjeve. Por kur mund të kryhen këto procedura, edhe cilët mund të jenë kandidatët për Himarën? Në kushtet kur Fredi Beleri nuk mund ta gëzojë më statusin e kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, do duhet që Himara të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ajo tha se fillimisht duhet të bëhet shkarkimi për Belerin, i cili mund të bëhet në dy forma:
Shkarkimi i kryetarit të bashkisë
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
2. KQZ vihet në lëvizje për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit dhe për të deklaruar pazgjidhshmërinë e Belerit.
Zgjedhjet e reja në Himarë
Pavarësisht se kush është institucioni që do të shkarkojë Fredi Belerin, duhet qeveria ose Prefektura e Vlorës të njoftojë Presidentin e Republikës. Se kur bëhet shkarkimi nuk ka një afat, por në momentin që shkarkimi bëhet, Presidenti ka afat për të caktuar një datë zgjedhjesh.
Data e re e zgjedhjeve
Presidenti i Republikës dekreton datën e re të zgjedhjeve brenda 48 orësh nga marrja e njoftimi. Zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit.
Detaje nga vendimi i Apelit të GJKKO
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 25.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 32 akti, datë 08.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehur Dh.A.B. dhe P.K., kundër vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit P.K., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin P.K. në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij. Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehurit P.K. me vendimin nr. 19, dt. 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dh.A.B., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dh.A.B., fillon nga dita e arrestimit të tij dt. 12.05.2023 dhe të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit në shumën totale 166.920 (njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit përkatës, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet e gjykimit në apel, i ngarkohen solidarisht të pandehurve P.K. dhe Dh.A.B.”, thuhet në njoftim e GJKKO.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se më 5 mars të këtij viti Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg Fredi Belerin. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës akuzohet për blerje votash dhe GJKKO ka pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK. Prokuroria kërkoi 2.6 vite burg për Belerin. Me këtë vendim GJKKO i jep fund një debati të gjerë që ka përfshirë jo vetëm drejtësinë, por edhe politikën. Greqia prej afro një viti vetëm ka kërcënuar dhe anatemuar, teksa ka ndërhyrë vrullshëm në punët e brendshme të vendit tonë. Por GJKKO nuk është ndikuar fare nga thirrjet e Athinës dhe ka vendosur që Beleri të qëndrojë për 2 vite në qeli. Po ashtu, kujtojmë se Beleri (i cili është zgjedhur eurodeputet në Greqi) dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.
