Dy orë e gjysmë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka qëndruar dje në ambientet e SPAK ku është marrë në pyetje nga prokurorët pasi ndaj tij ka nisur një hetim pasuror. Në një prononcim të shkurtër për mediat, pas daljes nga SPAK, ai është shprehur se nuk kishte asgjë për të thënë. “Me vjen keq qe keni qëndruar kaq gjatë! S’kam asgjë për të thënë! Mirupafshim!”, tha Tahiri. Saimir Tahiri mbërriti në ambientet e SPAK rreth orës 12:55 i shoqëruar nga avokati Maks Haxhia. Ish-ministri i Brendshëm Tahiri u lirua nga qelia më 2 qershor 2023, pas më shumë se një viti në burg, por tashmë ky hetim i ri i hapur nga SPAK mund t’i tronditë pozitat.
Verifikohen transaksionet, pyeten biznesmenë
Tahiri është thirrur për të dhënë sqarime si person ndaj të cilit kryhen hetime rreth pasurisë por jo vetëm. Sipas burimeve më herët në kuadër të këtij hetimi SPAK, ka pyetur edhe disa biznesmenë me të cilët familjarët e ish ministrit Tahiri kanë patur transaksione financiare. Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj prej muajsh heton Tahirin mbi pasurinë dhe burimin e krijimit të tyre, pas denoncime që kanë mbërritur në SPAK në lidhje me disa prona që janë blerë nga familjarët e tij. Procedimi në fjalë është regjistruar disa muaj më parë teksa hetuesit kanë nisur verifikimet duke vënë në sitë të gjitha pasuritë e luajtshme, të paluajtshme dhe llogaritë bankare të Tahirit dhe familjarëve të tij. Prokuroria ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë, institucione e agjenci të pronave për të verifikuar pronat e llogaritë bankare të ish-ministrit të Brendshëm, dhe transaksionet që ai ka kryer që prej kohës kur ai mbante detyrën dhe deri më sot. Në kuadër të kësaj dosje hetimet janë zgjeruar edhe tek bashkëshortja e tij dhe tek kunati, vëllai i bashkëshortes, për të verifikuar burimin e të ardhurave dhe të pasurive në emër të tyre.
Detajet
SPAK ka marrë pak kohë më parë dëshminë e biznesmenit Lulzim Morina mbi shuma të parave që ka kaluar në llogarinë bankare të bashkëshortes së ish-ministrit të Brendshëm. Mësohet se ai ka dhënë shpjegime për disa transaksione bankare me vlerë mbi 100 mijë euro, transferta këto që janë kryer gjatë vitit 2016-2017 tek llogaria e Fatlinda Tahirit, bashkëshortja e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri. Gjatë marrjes në pyetje, burimet thanë se, Lulzim Morina, ka pranuar kryerjen e këtyre transaksioneve, duke pretenduar se shumat financiare janë dhënë në formën e borxhit. Sipas tij, huaja është kthyer sërish mbrapsht dhe për këtë gjë ka premtuar se do i vendoste në dispozicion hetuesve të çështjes mandatet bankare. Pas kësaj dëshmie të shkurtër Morina është lënë i lirë të shkojë, por duke i mbajtur aparatin e telefonit. Bllokimi i është kryer me qëllim këqyrjen e bisedave dhe ekspertimit teknik të tij, ku shpresohet të gjendet biseda dhe materiale që i shërbejnë këtij hetimi. SPAK ka shtrirë verifikimet dhe tek disa biznese që gëzon kunati i ish-ministrit dhe disa kontrata noteriale ku janë blerë sipërfaqe toke në fshatin “Vishnjë”. Hetimi pasuror ndaj Tahirit po kryhet në bazë të Ligjit Antimafia, pas procedimit penal si i pandehuri i prokurorisë në trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali. Por për këtë dosje penale, Tahiri u dënua me vetëm 4 vjet e 8 muaj burgim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe jo për akuzat e ngritura nga prokuroria.
SHBA e zhgënjyer për lirin e Tahirit nga burgu
Por duket sikur një goditje e tillë e pritshme ndaj Tahirit u paralajmërua ditën kur ai la burgun dhe kur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë nuk vonuan reagimet. Ja çfarë shkroi atëherë ish-ambasadorja Yuri Kim. “Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, shkroi ambasadorja Yuri Kim. Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe reagimi i Ambasadës së SHBA. “Po e ndjekim me shqetësim lirimin e Saimir Tahirit dhe kërkojmë dokumentet e procesit”, thuhej në reagimin e selisë diplomatike, e cila kishte përfaqësuesit e saj në çdo seancë të gjyqit të Saimir Tahirit.
Lirimi nga burgut i Tahirit
Ndërkohë vendimi i formës së prerë për dënimin me 3 vite e 4 muaj për “shpërdorim detyre” ndaj Tahirit u dha më 4 shkurt 2022. Ndërkohë 1 vit e 4 muaj më pas ish-Ministri i Brendshëm u lirua nga burgu pas dy ekspertizave mjeko-ligjore që arsyetonin përse ai nuk mund të qëndronte më pas hekurave për pjesën e mbetur të dënimit. Në njërën prej ekspertizës thuhej se Tahiri kishte probleme shëndetësore. Në tjetrën shpjegohej se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk kishte kush të kujdesej për fëmijët. Mbase duke qenë edhe ata në dijeni të presionit amerikan, kishin parandjerë se dalja e parakohshme nga burgu nuk do të pritej mirë nga ndërkombëtarët e posaçërisht amerikanët, si investitori kryesor i reformës në drejtësi. Mbetet tani për t’u parë se si do t’i orientojë SPAK hetimet për pasurinë e Saimir Tahirit dhe se a do të kemi një proces të dytë në Gjykatën e Posaçme ndaj ish-Ministrit të Brendshëm.
