Në shtator 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikonte një raport për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për periudhën nga 1 gushti 2018 deri në 31 dhjetor 2021. Një detaj i rëndësishëm që bie në sy nga raporti janë udhëtimet e Ballukut dhe stafit, ku KLSH-ja zbulon se Ministria e Infrastrukturës nuk ka dorëzuar dokumentet që provojnë takimet zyrtare, për të cilat janë bërë udhëtime ndërkombëtare. Sipas KLSH MIE: “Në të gjithë urdhër-shpenzimet e blerjes së biletave të transportit ajror ndërkombëtar të përzgjedhura për t’u audituar nga grupi i auditimit, si dhe në disa urdhër-pagesa të shërbimeve-dieta jashtë vendit të punonjësve, të likuiduara nëpërmjet arkës, u konstatua mungesa e ftesës së vendit pritës.” Si pasojë, mungesa e dokumentacionit për ftesën është në kundërshtim me ligjin, rrjedhimisht kemi dyshime për shpërdorim të parave publike për udhëtimet jashtë vendit. Përveç mungesës së dokumentacionit, nga auditimi i KLSH-së evidentohen shkelje ligjore që ngarkojnë me përgjegjësi Ministrinë e Infrastrukturës, kryesisht ministren Belinda Balluku dhe paraardhësin e saj, Damian Gjiknurin. Kujtojmë se në 17 Janar 2019, në këtë post është emëruar Balluku, duke përfshirë më së shumti në auditim periudhën që institucioni është drejtuar nga kjo e fundit.
Skandalet
Por ky nuk është i vetmi skandal që ka zbardhur KLSH. Procedurat e tenderave në Albcontrol gjatë kohës kur institucioni drejtohej prej ministres Belinda Balluku janë zhvilluar në mungesë të konkurrencës, madje dhe janë konstatuar mungesë të specifikimeve teknike. Ky konkluzion ka dalë në auditimin e bërë nga KLSH, të realizuar në vitet 2016 -2018. Shkeljet janë vërejtur në të 22 rastet e zgjedhura për hetim. Në raport thuhet se 11 procedura prokurimesh janë zhvilluar në mungesë të plotë të konkurrencës dhe kontratat e nënshkruara nuk kanë respektuar barazinë mes operatorëve ekonomikë. në 5 procedura prokurimi, në hartimin e dokumenteve të tenderit, nuk janë dhënë argumentime mbi vendosjen e çdo kriteri të veçantë për kualifikim,veprim ky që bie në kundërshtim me “Rregullat e Prokurimit Publik”. Ndërkohë në 5 tendera të tjerë janë konstatuar se kanë munguar plotësisht specifikimet teknike. Pas këtyre Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar që në këtë institucion, i cili drejtohej nga ministrja Balluku, të rritet eficensa në shpenzimet publike, duke zhvilluar procedura prokurimi në përmbushje të kritereve ligjore, kapaciteteve ekonomike, financiare dhe profesionale, në përzgjedhjen e ofertës më të mirë ekonomike, duke siguruar që Autoriteti Kontraktor të pranojë oferta të cilat janë të pakushtëzuara. Autoriteti Kontraktor, thuhet në raport, duhet të hartojë kërkesa të veçanta për kualifikim, që të sigurojë konkurrencën e nevojshme si një nga parimet bazë të prokurimit në blerjen e mallrave, shërbimeve dhe punëve civile, për të arritur rezultate të dëshirueshme në efektivitetin e përdorimit të fondeve, sigurimin e integritetit, besimit publik dhe transparencës në procedurat e prokurimit publik.
Pse Rama nuk po e lëshon Ballukun?
Duke nisur nga gjithë këto skandale, pyetja është se pse Rama nuk po e lëshon Ballukun? Kjo e fundit ishte një nga ministret ‘surprizë’ që u emëruar nga kryeministri Rama në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndonëse online, në faqen e kryeministrisë, Balluku ka një CV-të gjatë, atë periudhë kur u emërua ra në sy se me postin që mori përsipër rezultonte përputhje vetëm një nga eksperiencat e saj, si drejtore e ALBCONTROL Sh.A., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë. Madje, siç edhe duket, për këtë përvojë flitet gjerë e gjatë si arritja më e rëndësishme në përshkrimin e karrierës së saj profesionale, e ndoshta dhe e vetmja bindëse. Kjo pasi në eksperiencat e tjera renditet posti për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në momentin kur Rama e emëroi në atë post, Balluku menjëherë nisi një specializim në Harvard, ku dhe është diplomuar gjatë 2021-shit për zhvillim Ekonomie. Gazeta ka kërkuar se sa kohë i është dashur Ballukut të fitojë këtë certifikatë në Harvard Kennedy School. Kjo shkollë tregon se për dhjetë javë bëhesh specialist. Aq i janë dashur dhe Ballukut.
