Ish-presidenti Ilir Meta dhe deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi nuk jetojnë më bashkë. Preh kohësh Meta ka nisur të flejë në një hotel luksoz në Tiranë që ndodhet në zonën e “Liqenit të Thatë”. Arsyet deri më tani janë thënë se nuk janë vetëm politike, por edhe familjare. Meta shkoi deri aty sa e quajti publikisht Kryemadhin agjente të SPAK. Shumë hipoteza janë hedhur se sherri i tyre nuk është real. Madje është komentuar se po e përdorin për të tërhequr vëmendjen që prokurorët mos i prekin. Por burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se përplasja e tyre është reale dhe sherri në këtë periudhë të “errët” që i kapi pas hapjes së hetimeve nga SPAK pritet t’ju kushtojë burgun. Kryemadhi u thirr nga SPAK më 12 qershor, ndërsa Ilir Meta më 13 qershor. Mësohet se ata janë zbrazur para prokurorit Sotir Kllapi duke nxjerrë të palarat për njëri-tjetrin, duke ngecur aferat dhe pasuritë që nuk i justifikojnë dot. Burime bëjnë me dije se do të ketë një tjetër seancë në vijim nga SPAK, ku këtë herë Meta dhe Kryemadhi do të ballafaqohen të dy bashkë.
Fundoset Meta dhe Kryemadhi
Perlat që ata kanë nxjerrë në SPAK për njëri-tjetrin janë pjesë e hetimeve, por nga alarmi që i ka kapur të dy për prangat, Meta dhe Kryemadhi janë kujdesur që të informojnë dhe publikun për korrupsionet e tyre. Të perceptuar dhe të lakuar si çifti më i akuzuar për korrupsion i politikës , Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi rrezikojnë të arrestohen për dosjen e lobimit në SHBA, pas ardhjes së letërporosive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë konfirmuar shpenzimet gjatë viteve 2016-2017, me para që nuk janë deklaruar në organet përkatëse në Shqipëri. Në këtë rast, Meta këtë aferë ia ka futur Kryemadhit. Ai e ka thënë shpesh publikisht se do të mbajë përgjegjësi për Lëvizjen Socialiste për Integrim deri në vitin 2017, kohë kur dhe ai ka qenë kryetar dhe jo për periudhën më pas kur partia u drejtua nga Vasili e Kryemadhi. Pra, indirekt ai ka bërë përgjegjës dyshen Vasili-Kryemadhi. “Sa i takon Metës dhe PL, SPAK të bëjë çfarë hetimi të dojë, të çojë letra porosie jo në Amerikë por dhe në Hënë, dhe duhet ta ketë të qartë që Meta dhe PL zbatojnë vetëm ligjet e Shqipërisë, Amerikës dhe çdo vendi demokratik. Dhe Shqipëria dhe Amerika kanë marrëveshje ekstradimi, dhe në çdo moment mund të plotësojnë çdo kërkesë për ekstradim. Të jeni të sigurt që asgjë nuk ka pasur të kundraligjshme, që të paktën në kohën që unë kam drejtuar, sepse nuk mund të marr përsipër për kohën që nuk kam drejtuar, absolutisht asgjë. Këto janë lojëra, manipulime të karakterit mediatik që bëhen për të spostuar vëmendjen nga fakti që vazhdojnë pagesat e inceneratorit të Tiranës”, ka thënë Meta. Nga ana tjetër ,Kryemadhi së fundmi tentoi t’ia faturojë pasurinë e vendosur nga korrupsioni Ilir Metës. Ajo deklaroi në një studio televizive se pasurinë e ka në emër të saj dhe nuk ka lidhje fare me të ardhurat që janë vënë nga funksionet e Metës. Pra me pak fjalë, Kryemadhi tha se ajo e ka vënë me djersë pasurinë miliona euro dhe nuk ka përdorur paratë që vidhte burri. “Unë nuk kam firmosur. Familja ime nuk ka marrë asgjë nga buxheti i shtetit. Unë nuk kam asnjë përfitm nga bashkëshorti im. E kam zero nga bashkëshorti. Kryemadhi që më 1992 ka jetuar me paratë e familjes së saj dhe punën e saj. Kryemadhi nuk ka ardhur në Tiranë kur u martua me Metën dhe kur u bë ai kryeministër, Kryemadhi u rrit në mes të Tiranës. Jam rritur 20 metra larg Teatrit Kombëtar. Kam jetuar në një komunitet intelektual. Jeta jonë nuk filloi në Tiranë kur u ndërtua SPAK”, tha ajo.
Meta fundos Kryemadhin
Pas daljes nga SPAK, Meta u tregua edhe më i qartë se asnjëherë më parë. Ai u shpreh se nuk është marrë me çështjet e pronave dhe as ato financiare në familjen duke ia kaluar faturën Kryemadhit. Meta tha se, i ka firmosur çdo vit në mirëbesim edhe deklaratat e pasurisë, por nuk e di se çfarë ka bërë Monika. “Më pyesin në SPAK a ke diskutuar me Monikën në shtëpi, se ne kështu flasim të gjithë, lidhur me lëvizjet e llogarive bankare apo pronat? Ia thashë që nuk jam marrë asnjëherë me çështjes pronash dhe llogarish, i kam firmosur çdo vit në mirëbesim edhe deklaratat e pasurisë, por nuk e di se çfarë ka bërë Monika, aty e kishin dje le ta pyesin”, tha Meta.
