Universiteti Ndërkombëtar i Strugës në Maqedoninë e Veriut, i cili është pjesërisht në pronësi të djalit të kryetarit të kësaj komune, Ramiz Merko, Genc Merko ka marrë licencën për hapjen e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore.

Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në opinion pasi bëhet fjalë për persona të përfshirë në listën e zezë amerikane, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.
Vendimi i është dhënë nga ministri i Arsimit në largim, Jeton Shaqiri, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili para se të emërohej në këtë post ka qenë profesor në Universitetin e Strugës.
Vendimin e ka nënshkruar kryeministri teknik nga BDI-ja, Talat Xhaferi ndërsa është publikuar në Gazetën Zyrtare më 15 prill të këtij viti gjatë fushatës parazgjedhore.
Në të thuhet se “ky fakultet ofron dy programe studimi: Studimet e Infermierisë së Përgjithshme dhe Studimet e Kujdesit Shëndetësor, nga cikli i parë i studimeve profesionale”.
