Ndizet debati, PS paralajmëron djegien e mandatit të Sali Berishës dhe i bën thirrje grupit të Bardhit të distancohet nga “non-grata”, vajza e ish-kryeministrit dhe ithtarët e tij kërcënojnë me trazira
Rigels Seliman
Ish-kryeministri Sali Berisha, duket se është një hap larg djegies së mandatit të deputetit. Më 20 qershor, ai bën 6 muaj që nuk shkon në Parlament dhe automatikisht i digjet mandati. Por paralajmërimin se Berishën e presin ditë të vështira e ka bërë edhe Partia Socialiste. Ka qenë zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, e cila konsideron të shëmtuara aktet e dhunës nga protestues të Rithemelimit dhe të Partisë së Lirisë, të cilët në protestat e tyre kanë hedhur molotov e djegur goma, si para Bashkisë së Tiranës, por edhe para Kuvendit. Në një intervistë televizive, ajo u shpreh dje se protestat e opozitës nuk frymëzojnë dhe kanë zero kreativitet, teksa shtoi se çdo gjë bëhet për të mbrojtur me gjak e tym Sali Berishën, të cilit i kanë mbetur edhe dy javë nga djegia e mandatit të deputetit. Sipas Kukos, opozita kërkon destabilitet, por nënvizoi se vendi do të ecë para. “Ka zero kreativitet, dhe para detyrave që kemi, së pari jemi qytetarë. Këto janë pamje shumë të shëmtuara. Shtyjnë argumentet politike me dhunë. Është teatër shëtitës, vishen si protestues para Kuvendit, pastaj vishen si mbështetës dhe shkojnë te një rrugicë në Tiranë. Janë imazhe të shëmtuara, nuk frymëzojnë, janë më pak protestues. Më vjen keq ata që besojnë të forca e djathtë, por që përdoren për mish për top. Unë mendoj që njerëzit janë shumë të mençur. Është po i njëjti grup që kërkon të mbrojë me gjak, tym një individ të caktuar. Kanë ngelur edhe dy javë nga djegia e mandatit, këto protesta do të radikalizohen. Duan të duken grupe qytetarësh të thjeshtë, por janë leva të një njeriu të caktuar. Opozita është shumë më e madhe se 25 persona që hedhin molotov. Është e koordinuar, por njerëzit janë të mençur. Për fat të keq, kemi humbur pak sensin se çfarë duhet të bëjë opozita, por e ka humbur busullën e vet. Në vend që të merren me hallet e qytetarëve, merret me mbrojtjen me zjarr të çështjeje. Është për të ardhur keq, kjo duhet të marrë fund. Duket se nuk do të kursehet askush, kjo është pengmarrje e pastër. Kërkohet krijimi i destabilitetit, por nuk ka asnjë negociatë dhe ulje në tavolinë me njerëz që janë subjekt i drejtësisë”, deklaroi Kuko.
Reagon Balla
Ndërkohë nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm Taulant Balla, u bëri dje thirrje deputetëve të Rithemelimit që të distancohen nga personat e shpallur “non-grata” duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha. Duke u ndalur tek propozimet që bëhen nga ana e opozitës, Balla tha se ato do të merren parasysh vetëm nëse vijnë në rrugë zyrtare. “Zonja dhe zotërinj deputete, duke ju falenderuar për bashkëpunim dua t’ju informoj se kemi marr në konsideratë edhe propozimet që kanë ardhur nga opozita. Nëse ato vijnë në rrugë zyrtare dhe jo duke pushtuar foltoristët, foltoren. Distancohuni nga ata të cilët pushtojnë me dhunë foltoren dhe djegin goma dhe nga ata që janë shpallur ‘non grata’ nga SHBA”, deklaroi ministri Balla.
Revoltohet Rithemelimi
Por teksa na ndajnë dy javë nga djegia e mandatit, Berisha ka vënë në lëvizje besnikët e tij. Dje ata zhvilluan një protestë të dhunshme para Parlamentit. Edhe pse retorika e Berishës është se po zhvendoset protesta nga Veliaj te mazhoranca, në fakt lepuri fle te djegia e mandatit. Berisha po jep sinjale se mund të tentojë destabilizim nëse nuk e lënë të shkojë në Kuvend. Këtë gjë e ka kuptuar dhe mazhoranca, sikundër e pohoi zv/ministrja Kuko. Ndërkohë avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj u shpreh më herët se procesi ndaj Berishës është pjesë e strategjisë për pastrimin e rrugës së Edi Ramës për zgjedhjet e 2025-ës. Sipas tij, gjithë këto skenarë kërkojnë djegien e mandatit të deputetit që Berisha gëzon, si edhe largimin e tij përfundimtar nga politika dhe zgjedhjet e ardhshme. “Ne duhet të shpjegojmë se çfarë ndodh. Procesi i goditjes ndaj Berishës është pjesë e strategjisë për pastrimin e rrugës së Edi Ramës për zgjedhjet e 2025-ës. Por që të realizohet ky skenar me drejtësinë nuk bëhet me një SPAK objektiv dhe një GJKKO të pavarur. Njerëzit janë zgjedhur me dorë. Vendimi i sotëm ishte i pritshëm për ne. Synohet djegia e mandatit të Berishës. Berishën e kanë kërkuar në komisionin për TIMS dhe menjëherë e tërhoqën po me urdhër politik. Për më tepër fabula e çështjes nuk është artikuluar nga prokurorët, kush korruptoi kë. Çdo ngjarje ka mekanizmin si është vepruar. Në fund fare pastaj, pa kryer asnjë veprim hetimor kërkojnë edhe zgjatje afati. Zgjatja bëhet kur ke konsumuar çdo afat dhe nuk ke kryer veprimet e domosdoshme. Këta kanë kërkuar zgjatje pa kryer veprime. Gjithë këto skenarë të çojnë në një pikë, djegia e mandatit të Berishës dhe largimi i tij nga politika dhe zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Gjokutaj në një media.
