Partia Socialiste nuk kërkon të humbasë asnjë ditë kohë sa i përket dy komisioneve që do të ngrejë në Kuvend për “anti-korrupsionin” dhe “dezinformimin”. Grupi parlamentar socialist ka depozituar dje në Kuvend dy projektvendime për ngritjen e komisioneve dhe përbërjen e tyre, për t’u miratuar në seancën e ditës së sotme. Në bazë të vendimit për ngritjen e Komisionit Anti-korrupsion, do të ketë11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Anëtarët e këtij komisioni do të jenë kryetarët dhe zv/kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian. Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare. Ndërkohë opozita nga ana e saj ka paralajmëruar bojkotin, pasi një javë më parë nuk e votoi projektrezolutën që i hap rrugën komisionit që do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj.
I. Përbërja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të mbikëqyrjes së huaj në proceset demokratikë të vendit” është si më poshtë:
1. Erjon Braçe kryetar (PS)
2. Etilda Gjonaj sekretare (PS)
3. Bledar Çuçi anëtar (PS)
4. Pandeli Majko anëtar (PS)
5. Mimi Kodheli anëtare (PS)
6. Enslemvera Zake anëtare (PS)
7. anëtar/e (PD)
8. anëtar/e (PD)
9. anëtar/e (PD)
10. Mesila Doda anëtare (Demokraci dhe Integrim)
11. Fatmir Mediu anëtar (Aleanca për Ndryshim)
Anëtarët zëvendësues
1. Bardhyl Kollçaku anëtar zëvendësues (PS)
2. Alban Xhelili anëtar zëvendësues (PS)
3. anëtar zëvendësues (PD)
4. anëtar zëvendësues (PD)
I. Përbërja e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian është si më poshtë:
1. Fatmir Xhafaj kryetar (PS)
2. Klotida Bushka anëtare (PS)
3. Eduard Shalsi anëtar (PS)
4. Etilda Gjonaj anëtare (PS)
5. Evis Kushi anëtare (PS)
6. Toni Gogu anëtar (PS)
7. Jorida Tabaku anëtare (PD)
8. Dhurata Tyli anëtare (PD)
9. Sorina Kote anëtare (PD)
10. Flutura Açka anëtare (PD)
11. anëtar (PD)
Anëtarët zëvendësues
1. Milva Ekonomi anëtare zëvendësues (PS)
2. Erion Braçe anëtar zëvendësues (PS)
3. anëtar zëvendësues (PD)
4. anëtar zëvendësues (PD)
Reagon PD
Ndërkohë pas futjes në rend të ditës të projektvendimit të mazhorancës ku përcaktohen emrat e anëtarëve të komisionit të Posaçme dhe kryetari i saj, ka reaguar dje në rrjetet sociale edhe deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka. Ajo shkruan se po luhet një pazar për ngritjen e këtij komisionin dhe se demokratët të cilët fillimisht e kundërshtuan atë do të ulen në karriget e komisionit të Posaçëm, duke legjitimuar nismën e PS-së. Sipas saj nëse ngrihet ky superkomision demokracia do të jetë në rrezik. “Ky vendim do të kalojë nesër në Parlament, bashkë me vendimin për përbërjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformim. Vendi bosh do t’i takojë ndonjë dashi, deleje a deledashi të Opozitës, por nuk është mbyllur tenderi akoma. Pritet vendimi i tretë që do të hyjë si të gjitha zezomat kundër demokracisë nesër me procedurë. Aty do të jenë edhe emrat, edhe thagma e arsyes pse do të jenë. Kështu e bën pushteti Opozitën më barrë. Mos u habisni fare. Kjo quhet përpjekje për Integrimin tonë Europian 2030. Por më parë do të tredhim SPAK, ta kthejmë atë në deledash, se po na mërzit shumë. Demokracia në rrezik!!!!”, shkruan Açka.
