Opozita konservatore në Slloveni pengoi një votim në të cilin vendi duhej të njihte zyrtarisht shtetin palestinez.Partia Demokratike Sllovene (SDS) e politikanit Janez Jansha paraqiti një propozim për thirrjen e një referendumi këshillues me shpjegimin se “qytetarët duhet të shprehin mendimin e tyre për një çështje kaq të rëndësishme që mund të ketë pasoja të rënda për Slloveninë”. Për shkak të kësaj, vendimi për njohjen e Palestinës u shty për të paktën një muaj. Parlamenti do ta votojë propozimin e Janshës në seancën e ardhshme, më 17 qershor. Me shumë mundësi ai propozim do të refuzohet sepse opozita nuk i ka duart e mjaftueshme, çka do të thotë se votimi për njohjen e Palestinës do të bëhet më 8 korrik, në seancën e fundit para pushimeve verore. Votimi për njohjen e Palestinës supozohej të ishte një formalitet sepse mjafton një shumicë e thjeshtë për të kaluar tekstin dhe koalicioni qeverisës i qendrës së majtë ka 51 nga 90 vendet në parlament. Propozimi i vendimit të qeverisë për njohjen e Palestinës si një shtet të pavarur dhe sovran është mbështetur më parë nga Komiteti i Politikës së Jashtme. Për të votuan nëntë anëtarë të komisionit, ndërsa kundër tre anëtarë të SDS-së. Kryeministri Robert Golob shpjegoi se bëhet fjalë për njohjen e Palestinës brenda kufijve të vitit 1967. Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare në Kabinetin e Kryeministrit, Vojko Volk, e quajti të pritshëm lëvizjen e SDS-së, duke thënë se është legjitime, por jo e justifikuar. Gjatë kohës që ishte kryeministër, Jansha mbajti marrëdhënie të ngushta me Benjamin Netanyahun dhe kryeministri izraelit i përdori këto simpati për të zgjeruar mbështetjen për Izraelin në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Trazira në Slloveni për njohjen e Palestinës, ja pse po vonohet votimi
Data
