Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u takua me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së në Singapor dje, tha se ishte i zhgënjyer që “disa liderë botërorë” nuk u angazhuan për të marrë pjesë në samitin e paqes për Ukrainën në Zvicër.Presidenti kinez Xi Jinping nuk do të marrë pjesë dhe me sa dihet, as presidenti amerikan Joe Biden. “Jemi të zhgënjyer që disa liderë botërorë nuk e kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen e tyre në samitin e paqes”, tha Zelensky, pa përmendur në mënyrë specifike Kinën apo SHBA-në. Megjithatë, pak më vonë, Zelensky akuzoi drejtpërdrejt Kinën për presion ndaj disa vendeve. “Rusia, duke përdorur ndikimin kinez në rajon, si dhe diplomatët kinezë, po bën gjithçka për të penguar samitin e paqes. Është për të ardhur keq që një vend kaq i madh i pavarur i fuqishëm si Kina është një instrument në duart e Putinit”, tha ai. Zelensky pati një takim shumë të mirë me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA, Lloyd Austin në Singapor dje ndërsa ai kërkon të marrë mbështetje të fortë nga Perëndimi përballë përparimeve ruse në terren. Më shumë se njëqind vende dhe organizata janë zotuar të marrin pjesë në samitin e qershorit në Zvicër, tha Zelensky dhe ftoi vendet në rajonin Azi-Paqësor të bashkohen. Kina tha se do të jetë “e vështirë” të marrë pjesë në këtë samit nëse Rusia nuk ftohet. Takimi midis Zelensky dhe Austin erdhi pasi presidenti ukrainas të premten vlerësoi “progresin” pasi SHBA lejoi Kievin të përdorte armë amerikane për sulme në tokën ruse, duke iu nënshtruar disa kushteve. Ukraina po përpiqet të frenojë ofensivën tokësore të Rusisë në rajonin e Kharkiv, ku Moska së fundmi bëri përparimin e saj më të madh territorial në 18 muaj.
Zelensky akuzon ashpër Kinën për “pazare” të fshehta me Rusinë në prapaskenë
Data
