Shumë shpejt në radhët e politikës e policisë pritet të ketë goditje të mëdha nga Prokuroria e Posaçme. Burime bëjnë me dije se përveç aferave korruptive, politikanë dhe njerëz të drejtësisë dhe të policisë do të arrestohen për lidhjet e tyre me krimin. Dosjet kanë filluar të qepen dhe në lojë kanë hyrë sërish belgët e francezët. Ai që i ka fundosur të gjithë është aplikacioni i komunikimit “SKY ECC”, mesazhet e të cilit çuan para pak ditësh në pranga emra të njohur të botës së krimit.
Paralajmërimi i gazetarit
Gjithashtu, edhe gazetari Adriatik Doçi ka paralajmëruar se SPAK po bën gati “Metamorfozën 4”, ku pritet të arrestohen ish-zyrtar të nivelit të lartë të Policisë, funksionar vendor dhe politikanë të rëndësishëm. “Metamorfoza 2 dhe 3”, kanë dhënë disa shenja ku aktiviteti ose një veprimtari e caktuar kriminal e caktuar e një grupi kriminal, pastaj ndalet në një moment të caktuar, që nënkupton që SPAK-u mund të ketë një procedim tjetër, që mund të përfshijë ecurinë e kësaj vepre penale. Burimet konfirmojnë se në ditët në vijim do të kemi një “Metamorfozë 4”, e cila do të jetë më tronditësja e të gjitha dosjeve të publikuara deri më sot nga SPAK-u për shkak të personave të implikuar, ku niveli i implikimit ku dyshohet e përflitet që janë ish-zyrtar të nivelit të lartë të Policisë, funksionar vendor dhe politikanë të rëndësishëm të mpleksur e të gërshetuar me grupet kriminale, me aktivitetin e pastrimit të parave, me korrupsion dhe me kapjen e shtetit. Burimet sinjalizuese thonë që bëhet fjalë për disa ish-zyrtar të policisë që sot nuk janë në detyrë, por përflitet për disa drejtues të njësive vendore që janë në detyrë dhe politikanë aktiv në politikën shqiptare aktualisht”, tha ai ndër të tjera.
Alarmi i SPAK
Gjithashtu, gazetari Doçi komentoi dhe paralajmërimet e Altin Dumanit për pastrimin e parave nga krimi dhe rënia e kallëzimeve penale nga institucionet publike. “Pothuajse në çdo dosje Metamorfoza, 1, 2, 3, ka treguar për një lloj miksimi të grupeve kriminale me segmente të shtetit siç është Policia dhe segmentet gjyqësore siç është prokurori dhe Gjyqësor, sigurisht dhe me politikanë të caktuar. SPAK-u e ngriti këtë shqetësim, për shkak të forcës goditëse dhe seriozitetit për të luftuar e për të përmbushur dy shtyllat kryesore, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka rënë ndjeshëm numri i referimeve penale nga administrata publike dhe nga institucionet e ngarkuara posaçërisht me ligj për të referuar në SPAK, kallëzime penale që disa nga institucionet kryesore janë Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, i cili ka një rënie të ndjeshme të referimeve penale në SPAK, krahasuar me periudhat e mëparshme por duket se ka një letargji dhe nga Drejtoria për parandalimin e pastrimit të parave me referimet që ka bërë në SPAK. Pothuajse raportet dhjetore që janë copy-paste të raporteve të mëparshme, me ato skemat e zakonshme, thjesht një përmbushje formale të punës ku ndërkohë sinjalet në raportet ndërkombëtare në investigimet mediatike, në shqetësimet që shpreh dhe kreu i SPAK-ut, tregon për një fenomen masiv në rritje të pastrimit të parave e sidomos në sektorin e ndërtimit”, tha gazetari. Po ashtu Doçi ka folur edhe për aferat me pronat. “Rastet kanë treguar që është një përputhje interesash midis segmenteve të caktuar të politikës, të gjyqësorit, të krimit të organizuar, ku si mburojë dalin gjithmonë të ashtuquajturit investitor strategjik ku nga verifikimet e bilanceve nuk u justifikojnë duke llogaritur edhe kreditë bankare që kanë paraqitur në dokumentacion, as 10% të investimit të pretenduar të letra që dorëzojnë në qeveri për të marrë statusin e investitorit strategjik ku këtu dyshohet se kemi të bëjmë më pastrim pasiv parash, ku SPAK e ka në vëmendje dhe kjo gjë u theksua dhe nga kreu, Altin Dumani”, u shpreh gazetari.
