SPAK institucion me probleme, Edi Rama zbardh detaje nga projekti anti-korrupsion dhe i kërkon ndihmë Sali Berishës për të kapur Prokurorinë e Posaçme dhe organet ligjzbatuese, reforma në drejtësi në rrezik

Data

Ndonëse trumbeton me të madh se është “dashnor” apo “babi biologjik” i reformës në drejtësi, kryeministri Edi Rama po tregon se është një “armik” i saj, veçanërisht kundrejt Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila i ka dërguar në burg apo i ka marrë nën hetim shumë bashkëpunëtorë të tij në qeveri, pushtet vendor apo parti. Ditën e djeshme kryeministri Rama shfrytëzoi një takim me gazetarët teksa ndodhej në Malin e Zi, ku ka sulmuar hapur SPAK dhe ndërkohë i ka kërkuar ndihmë ish-kryeministrit Sali Berisha për të mbështetur projektin e tij anti-korrupsion për të kapur Prokurorinë e Posaçme, institucionet ligjzbatuese dhe synuar në finale asgjësimin e reformës në drejtësi. “Nuk jam në dijeni, se është depozituar draft rezoluta në parlament, do të ketë procesin e saj, njësoj si kemi bërë me reformën në drejtësi, do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë. Për çështje të caktuara kërkohet një konsensus edhe më i gjerë. Edhe sepse në fund të ditës, të gjitha partitë nuk e diskutojnë që destinacioni është BE. Të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret që të mund të vazhdojnë në hapësirat e tjera dhe aty të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës të ditës. Ajo do të duhej të kalonte përmes ndryshimeve të Kushtetutës. Si mundem unë të kem një synim të tillë, kur isha unë me Partinë Socialiste që i dhamë jetë SPAK-ut dhe që i japim sot mbështetje pa ekuivokë. Dhe. Është depozituar draft-rezoluta dhe do të vijojë procedurën e vetë. Siç kemi bërë me reformën në drejtësi ne do ta bëjmë pjesën tonë, por në këtë rast kërkohet dhe një konsensus më i gjerë në sallën e parlamentit”, deklaroi ai. Pra kjo deklaratë tregon qartë se kryeministri Edi Rama i shtriu sërish dorën grupit të Berishës, për të bashkëpunuar sa i takon “superkomisonit” që synon të kontrollojë SPAK-un dhe institucionet  tjera që ata i shikojnë rrezik për shkak se iu prishnin qetësinë e rehatinë. Ndërkohë kujtojmë se Partia Socialiste ka propozuar një draftrezolutë për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Draft-rezoluta u prezantua në mbledhjen e deputetëve dhe ministrave ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, nga ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali. Në kuadër të kësaj rezolute PS ka propozuar edhe ngritjen e një Komisionin të Posaçëm Parlamentar, i cili do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Takimi me emigrantët në Athinë

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama komentoi dhe akuzat e opozitës, të cilët aluduan se shqiptarët që mbushën sallën në stadiumin Galatsy në Athinë ishin nisur nga Shqipëria me autobusë. “E vetmja gjë që më vjen keq gjithë përpjekja absurde për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë çdo lloj marrëzie por jo të vërtetën, atë valle kuq e zi në zemër të Athinës, si një takim të bërë me autobusë të administratës. Fyen, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e të gjithë atyre që kishim ardhur atje, ishin jo vetëm njerëz shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie me forcën që qeverisë, por edhe njerëz që nuk na kanë votuar ndonjëherë. Erdhën si shqiptarë si krejt e natyrshme për historinë e shqiptarëve të Greqisë. Është e vetmja gjë për të cilën më vjen keq do mbetet në kujtesë time si një moment i jashtëzakonshëm shqiptar por edhe moment psikologjik kthese jo vetëm në raport të shqiptarëve me Greqinë por edhe me BE-në”, u shpreh ai. Ndër të tjera Rama theksoi edhe një herë se Shqipëria nuk do të firmosë marrëveshje me emigrantët të ngjashme me atë të Italisë me asnjë shtet tjetër ndonëse e pranoi se ka pasur oferta. “Është shprehur dëshira nga Britania e Madhe e disa vende të tjera, jo vetëm para dhe pas marrëveshjes me Italinë dhe përgjigjja ime ka qenë jo dhe mbetet Jo. Italia është histori tjetër dhe realitet tjetër në tablone e marrëdhënieve tona miqësore dhe ndërkombëtare. U kam shpjeguar arsyet pse Italia ha bukë veç”, nënvizoi Rama. Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ndodhej në Kotorr të Malit të Zi ku mori pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Ky takim rajonal që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perendimor

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related