Spartak Ngjela zbulon problemet e brendshme brenda SPAK dhe tregon arsyet pse Greqia nuk iu kundërvu Edi Ramës pas takimit me shqiptarët në Athinë, ja si po i luajnë fijet në prapaskenë amerikanët

Data

Avokati i njohur, Spartak Ngjela shprehet se brenda Prokurorisë së Posaçme ka njerëz të korruptuar. Z.Ngjela, teksa ka dhënë detaje për gazetën “SOT”, shprehet se brenda institucionit më të lartë të drejtësisë në vend, ndodhen tre, katër, individë të cilët po përpiqen të korruptojnë SPAK-un, e si e tillë priten të shkarkohen dhe të zëvendësohen. Nga ana tjetër, avokati komentoi dhe vizitën e Ramës në Greqi. Sipas tij, arsyet pse Greqia mbajti qëndrim neutral ndaj kryeministrit teksa iu tha se keni marrë territore shqiptare është se në këtë mes fijet po i luajnë në prapaskenë amerikanët. Më tej Ngjela theksoi se fakti që Rama përmendi edhe Çamërinë, do të thotë se mund të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të folur mbi këtë çështje kaq delikate. Sa i takon deklaratës së bërë nga Dora Bakojanis, motra e kryeministrit grek dhe njëkohësisht eurodeputete në PE, avokati zbuloi se nëna e Kyriakos Mitsotakis, kreut të qeverisë greke është shqiptare. Avokati Spartak Ngjela ka folur lidhur me ngjarjen e rëndë në Shkodër ku dyshohet se Alma Arrazi u vetëmbyt së bashku me 3 fëmijët e saj. Ai ka deklaruar se rasti mund të ketë qenë një vrasje. Sipas Ngjelës, autopsia duhet të nxjerrë përfundime për këtë ngjarje, por ende nuk ka asnjë përfundim. Madje avokati Spartak Ngjela u shpreh i bindur se është e pamundur që fëmijët të mbyten së bashku me të ëmën.

-Avokat Ngjela, thuhet se SPAK, përpos ‘rrjetës së madhe’ të hetimit të nivelit të lartë, ka edhe probleme të brendshme. Ka zëra se do të ketë edhe shkarkime dhe emërime të reja brenda kësaj strukture. Si e shihni këtë situatë?

Edhe unë jam në dijeni të këtij informacioni. Ma kanë thënë me kohë që ka disa individë brenda në SPAK, të cilët janë të korruptuar. Nuk e di mirë, tre a katër persona por janë individë të korruptuar e budallenj, se si mund të korruptohesh ti në SPAK. Këto janë nga ato persona që jo vetëm erdhën e shkatërruan jo vetëm drejtësinë, por edhe shoqërinë shqiptare e akoma vërtiten. Janë të gjithë ata hajdutë që hoqën nga sistemi gjyqësor dhe Prokuroria dhe nuk i kanë arrestuar. Pse i mbajnë jashtë. Tani të shohim se çfarë do të bëhet.

-A ka ndikim Meta, Berisha dhe Rama mbi prokurorët e SPAK-ut?

Jo jo, fare absolutisht.

-Si e patë takimin e Ramës në Greqi?

Vizita e Ramës në Greqi, ishte pozitive për karakterin shqiptar të kohës. Kjo tregoi që forca që po merr Shqiptaria, dy shtetet shqiptare në Ballkanin Perëndimor i ka tulatur edhe armiqtë tonë në funksion të tokës, siç është Greqia. E cila u tërhoq dhe mbajti qëndrim neutral. Madje, nuk iu kundërvua fare kryeministrit Rama në një kohë që ai goditi ashpër në Athinë duke iu thënë që keni marrë territoret shqiptare. Nuk ka rëndësi shumë përmbajtja e fjalimit të Ramës që ishte patriotik ose në funksion të historisë së Shqipërisë, por fakti që Greqia nuk u kundërvu. Kjo tregon se Rama nuk shkoi në Greqi vetëm me mendimin e tij, por shenjat janë që ka shkuar dhe me mendimin amerikan.

-Pra ju e përshëndetini këtë vizitë…

Dy kanë qenë qendrat e goditjes së Shqipërisë, Kosova dhe Çamëria. Kosovën e morëm. Rama tregoi se do të fillojë çështja Çame. Faktet janë këto, por po të flasim për gjëra të tjera, është fantazi. Rama e foli njëherë para dy vitesh këtë gjë dhe grekët na sollën ushtrinë këtu. Rama e përfshiu energjikisht këtë çështje. Përse? Të shikojmë se ku e ka mbështetjen Edi Rama. Ku e gjen fuqinë që të hyjë e të dalë në konflikt me Greqinë? Në Uashington, mendoj unë.

-Ndërkohë pas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e anëtarëve të kabinetit të tij, një reagim ka ardhur edhe nga Dora Bakoyannis, ish-ministre e Jashtme në Greqi, por edhe motra e kryeministrit aktual, Kyriakos Mitsotakis. Kjo e fundit ka sfiduar hapur Ramën, teksa theksoi se Greqia ka më shumë ndikim mbi emigrantët shqiptarë se sa kryeministri i Shqipërisë. Keni një koment?

Disa vite ka që emigrantët shqiptarë po trajtohen si njerëz. Me kë flet Bakoyanis? Nënën e ka shqiptare ajo, Marika e ka emrin, e di unë. E kemi takuar njëherë në Kretë”, u shpreh Ngjela ndër të tjera.

-Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama në një deklaratë të gjatë sa i takon drejtësisë tha se përveç djalit nuk mbaj askënd të mbrojtur para drejtësisë. Si e pe fjalimin e Ramës?

Kryeministri Rama, juridikisht ka të drejtë pasi përgjegjësia është personale. Sot nuk ka përgjegjësi kolektive, vetëm në komunizëm kishte diçka të tillë e kishte krijuar psikozën e fajësisë familjare. E kjo gjë nuk u vazhdua më në Shqipëri edhe pse ditët e sotme ka shenja tek-tuk pasi nuk ka ikur ende ajo frymë, po djali i këtij apo vajza e atij, kemi gjëra të tilla që vijnë nga e kaluara komuniste, por Rama u përgjigj shumë mirë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related