Është zbardhur deklarata e plotë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu në seancën e sotme gjyqësore për dosjen Gërdeci, teksa u shpreh se prej 17 vitesh po persekutohet se “gjoja unë isha krimineli që shpërtheu Gërdecin”.
Ish-ministri u shpreh para togave të zeza mori përgjegjësinë morale për tragjedinë e Gërdecit, duke theksuar se u fsheh, por dorëzoi imunitetin duke u vendosur përballë drejtësisë.
“E dhashë dorëheqjen për përgjegjësi morale, por kjo nuk mund të keqkuptohet dhe keqpërdoret si dobësi për t’u shndërruar në përndjekje penale për 17 vjet. Përndjekje që vazhdon kundër çdo ligji dhe rregulli për një proces të drejtë”, theksoi Mediu.
Ndërsa më pas shtoi: “Para Gërdecit janë vrarë mbi 100 njerëz në Qafë Shtamë, Gjegjan, Gjirokastër, Dhëmblan. U mbytën 19 persona në det. Janë vrarë 2 muaj pas Gërdecit në Uzinën Ushtarake të Poliçanit, janë vrarë në Skrapar në 2011. Pse nuk u ngarkuan ministrat me përgjegjësi, se si ishte magazinuar, ruajtur dhe demontuar municioni. Apo në rastin e Gërdecit duhet një kokë turku??”
Fatmir Mediu theksoi se “është provuar qartësisht dhe vendosur nga Prokuroria dhe Gjykata në këtë proces se ‘Ministri nuk ka lidhje me shpërthimin dhe të gjitha pasojat e shpërthimit në Gërdec’.”
Ish-ministri u shpreh se në 17 vite nuk është marrë në pyetje, si edhe nuk iu është munikuar asnjë akt ekspertimi.
“Nuk më keni dhënë mundësi të bëj vlerësimet e mia mbi aktet dhe ekspertët paraprakisht, siç thotë ligji, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Europiane. Të gjitha këto janë të qëllimshme, për të mbajtur gjallë një proces jo juridik, por politik”, theksoi ai.
Mediu deklaroi se ka shkuar në seancë në respekt të drejtësisë dhe jo për gjyqe politike, teksa kërkoi që gjyq të bëhet live, në prani të kamerave të televizioneve.
