Bashkimi Europian ka reaguar ditën e djeshme sa i takon nismës së Partisë Socialiste për të ngritur një komision me qëllim forcimin e luftës anti-korrupsion. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, zyra e delegacionit të BE në Tiranë kërkon që të bëhet kujdes, ndërsa theksohet se mbështesin çdo element që ka si synim të godasë korrupsionin, por kanë vënë disa vija të kuqe, sikundër është mosprekja e reformës në drejtësi e viti 2016. Po ashtu kërkohet më shumë transparencë dhe ta garantohet pavarësia e institucioneve. Sipas saj, është me rëndësi jetike që procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, përfshirë edhe shoqërinë civile. “Delegacioni i BE-së mirëpret çdo nismë për të çuar më tej proceset e arritjeve të reformave të Shqipërisë për qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe antikorrupsionin, duke u mbështetur te reformat dhe arritjet e mëparshme, si dhe në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit. Ne theksojmë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike. Për sa i përket sektorit të drejtësisë, vërejmë se parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016. Theksojmë se është me rëndësi jetike që procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, përfshirë edhe shoqërinë civile. Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, BE-ja po ofron ndërkaq asistencë të madhe për Shqipërinë në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, si dhe është e gatshme të rrisë mbështetjen e vet, sipas rastit”, thuhet në reagimin e BE.
Propozimi i PS dhe reagimet
Ndërkohë kujtojmë se socialistët parashikojnë ngritjen e një Komisioni të posaçëm parlamentar, të ngjashëm me atë të reformës në drejtësi. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës që pavarësisht dallimeve të thella, t’i bashkohen kësaj nisme. Opozita deri tani nuk e ka parë pozitivisht propozimin e socialistëve. Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha, e ka konsideruar një “retorikë boshe”, duke e akuzuar kryeministrin si përgjegjësin kryesor të përhapjes së korrupsionit në vend. Edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, i cili tanimë përfaqëson grupimin e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, u shpreh se “çdo reformë apo nismë që krijon mundësinë për të çuar përpara integrimin europian të vendit, do të ketë kontributin tonë”. Por sipas tij, “me Edi Ramën kryeministër dhe qeverinë e tij të korruptuar ky proces vetëm sa vështirësohet, pengohet e zgjatet”. Ndërkaq socialistët janë të mendimit se këto reforma, do të përshpejtonin rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin europian, ndërsa i janë referuar dhe gjetjeve të shqyrtimit analitik të realizuar në kuadër të procesit të bisedimeve me BE-në. Nga ana e saj ambasada amerikane, në reagimin e saj një ditë pasi u bë publik propozimi i socialistëve, foli për një “propozim premtues”, ndërsa nënvizoi se “si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme, ndërsa bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euro-atlantike”.
