Spartak Ngjela: Ja çfarë fshihet pas sulmeve të Ilir Metës ndaj SPAK dhe pse Edi Rama u përmendi grekëve Bubulinën, shqiptaren dhe personazhin kyç në pavarësinë e Greqisë

Data

Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Teksa foli për hetimet dhe dosjet që ka në duar SPAK, Z.Ngjela tha se një ambasadore i ka shprehur se prokurorët ndiheshin të kërcënuar për shkak të punës. Nga ana tjetër, avokati shprehet se Ilir Meta sulmon SPAK, pasi ka krijuar një alibi për pronat ku thotë se janë të bashkëshortes apo të familjarëve të tjerë duke hequr dorë nga përgjegjësia. Po ashtu Ngjela, paralajmëron SPAK-un se nuk duhet të ketë asnjë lapsus ku shpall pafajësi ndaj Metës pasi kjo e rrëzon institucionin më të lartë në sistemin e drejtësisë.

-Për dosjet e SPAK, flitet shumë por nuk është se ka ndonjë zhvillim të hatashëm që e pret dhe opinioni publik?

Ka zhvillime, është arrestuar një ish-kryeministër, ish-president, Sali Berisha. Arresti i shtëpisë, arrest quhet, në bazë të procedurave ka njësoj parametrat si arrest në burg. Atë në burg nuk e dërgojnë dot për shkak të moshës së është 80 vjeç. Nuk e lë procedura, por çështja është këtu dhe Kushtetuta. Nuk mund të flasim paraprakisht se çfarë mund të ndodhë në korrupsionin aktual. Që ka filluar një luftë anti-korrupsion, ka filluar. Që SPAK-u e ka në dorë, dihet se SPAK e ka në dorë por dihet dhe që SPAK drejtohet nga ekspertët ndërkombëtar amerikan. Duhet të kemi parasysh që ata janë dhe shumë skurpuloz.

– Keni thënë se ka indicie dhe të dhëna edhe prokurorët e SPAK, deri diku ndihen të trembur, pra ka një lloj stepje herë pas here?

Një ambasadore që ishte në Shqipëri më ka thënë para një viti se prokurorët kërkonin mbrojtje e tani mbrojtjen ua ka dhënë.

– Kështu që nuk i pengon asgjë tani për të hetuar dhe për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ato që janë në shkelje?

Mafia të kërcënon, nuk diskutohet. Prokurorët nuk duhet të ndalojë procesin, por duhet të japësh dorëheqjen në këtë moment. Nëse nuk ke fuqi të vazhdosh nga presionet, duhet të japësh dorëheqjen dhe vjen tjetri në vendin e tij.

– Është diskutuar ditët e fundit për deklaratat e forta të zotit Meta ndaj kreut të SPAK por edhe të SPAK si institucion, është thënë shpesh që Meta këto deklarata e akuza kaq të forta i ka bërë sepse SPAK deri më sot nuk ka marrë parasysh asnjë denoncim të opozitës, kemi parë një reagim të zotit Dumani. U tha javën e shkuar që pritet arrestimi të martën, të mërkurën se do të ketë zhvillime, ngjarje e arritën deri aty sa gazetarët thanë se nuk duhet të dilni Shqipërisë në fundjavë, sepse do të ketë ngjarje vërtetë të bujshme por nuk pamë asgjë. Janë thjesht shashka që hidhen apo ka një ngurrim nga ana e SPAK për të marrë masa sigurie për politikanë që janë nën hetim prej shumë kohësh?

E para, nga sa kam parë nga larg, Meta ka krijuar alibi për pronat. E dyta, ka qenë President, ish-President dhe ish-Kryeministër, e si të tillë SPAK duhet të jetë shumë i saktë e aq më tepër që drejtohet jo nga shqiptarë. Nuk mund të ketë lapsuse ku një pafajësi e Metës rrëzon SPAK-un, ta dini këtë gjë. Është forca që ka patur në opinionin publik, ka qenë ish-President e është shumë e vështirë që ish-Presidenti të marrë pafajësinë, prokurori, hetuesi e gjithë rreshti që është marrë me hetimin e tij duhet të japin dorëheqjen.

– Një hetim që po zgjat prej kohës, a mund të themi që ndoshta SPAK nuk ka gjetur asnjë provë që ta ngarkojë me përgjegjësi ish-Presidentin Meta, duke qenë se ka hetime që zgjasin prej më shumë se dy vitesh?

Nuk e di. Por ka një gjë që Meta është i acaruar me SPAK-un. Fakti që është i acaruar me SPAK, do të thotë SPAK po e ndjek. Çfarë do të bëj hetuesia në funksion të provave, këtë gjë duhet ta presim pasi nuk mund të flasim dot paraprakisht. Mesa shoh nga jashtë, Meta po krijon alibi, ajo mund të jetë e fortë pasi mund të thotë për pasurinë, që jo është e gruas, jo është e djalit të vëllait të gruas. Ai ka krijuar një sistem alibik dhe unë e kam konstatuar që këto janë alibi që i ka bërë më përpara apo tani, këtë gjë nuk mund ta themi por ka mundësi që mund ti ketë bërë që në fillim.

-Po fjalimin e Ramës në Greqi si e komentoni?

Rama, gjatë takimit me diasporën në Athinë, preku një çështje mjaft delikate që ka të bëjë me faktin se pavarësia e Greqisë është produkt i shqiptarëve. Rama nuk ua përmendi kot Bubulinën, një shqiptare dhe personazh kyç në pavarësinë e Greqisë. Mendoni se pavarësinë e kanë fituar grekët? Shqiptarët ua kanë dhënë pavarësinë grekëve me Bubulinën (Laskarina)* dhe me arvanitasit. Që ua përmendi grekëve këtë fakt Rama bëri shumë mirë. Gjithë krerët politik që u përpoqën për pavarësinë e Greqisë janë shqiptar. Në fakt ata menduan se fituan pavarësinë e Shqipërisë, por ishte një mbret gjerman ai që bëri kthesën. Emri Greqi nuk njihej fare. E krijoi Oto një mbret gjerman. Historia nuk mund të fshihet më, Rama nuk ka asgjë në dorë për fatin e Belerit. Grekët janë injorantë që bëjnë kërkesa të tilla politike. Rama nuk ka asgjë në dorë sepse në SPAK janë amerikanët. Shqip, Rama nuk ka gjë në dorë dhe grekët e dinë shumë mirë këtë. Por thjeshtë bëjnë lojëra politike. SPAK është në dorë të amerikanëve. Rama u tha atyre copë se në Greqi ka shumë shqiptar. E pamë qartë në stadium. Po nuk ke forcë, nuk bën dot politikë. Rama tregoi forcë në Athinë

-A do të votojnë emigrantët?

Emigrantët mbajnë mbi supe një pjesë të madhe të zhvillimit të vendit. Ata paguajnë dhe s’kanë të drejtë që të votojnë? Është diçka që nuk qëndron. Çdo nënshtetas që paguan ka të drejtë të votojë. Ka gjasa që emigrantët të votojnë duke parë lëvizjet e Ramës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related