Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka depozituar një projektligj në Kuvend, kundër atyre që ai e quan “tradhtarëve të kombit”.
Nëpërmjet tij, ai kërkon që të ndalohet kandidimi, zgjedhja apo emërimi në funksione publike i personave që janë dënuar për dhunim apo përdhosje të simboleve kombëtare.
Petro Koçi u shpreh për një emision televiziv se për projektligjin e propozuar ka marrë spunto nga Fredi Beleri, i cili u shfaq në publik me flamurin e Vorio Epirit, një akt ky, i cili bie ndesh dhe poshtëron simbolet kombëtare shqiptare.
Ai theksoi se nëse personalisht nuk ka pasur dijeni për flamurin e Vorio Epirit në takimet e tij me qytetarët, atëherë Fredi Beleri duhet të dilte dhe të distancohej publikisht nga ky rast.
“Spunton për nismën e kam marrë nga rasti Beleri. Të vijmë të flamuri i VorioEpirit, mund ta marrim për të mirëqenë që flamuri është vënë nga banorët, por ama kandidati për kryetar bashkie duhet të bënte një deklaratë ku distancohet prerazi nga ky moment, gjë që nuk ka ndodhur. Spunton e kam marrë nga rasti Beleri në kuptimin që në publik kishte shumë shqetësim lidhur me faktin që institucionet nuk mundën ta pengonin kandidatin Beleri për të kandiduar edhe pse ai ishte i dënuar, sipas mediave, për poshtërim të simboleve të Republikës, apo në ngjarjen e Peshkëpisë.
Kjo më dha një shkas për t’u marrë me atë nismë. Sot kemi një ligj nuk jemi ne në gjendje të diskutojmë kushtetuetshmërinë, ai është në fuqi. Në mënyrën si është formuluar mendoj se mungesa e këtyre dy neneve të odit penal, është pak edhe kompromentuese. Sepse ti ndalon që dikush të zgjidhet apo emërohet në funksion publik kur ka kryer krim të një natyre tjetër, por jo një person që ka përdhosur simbolet kombëtare. Nuk rehabilitohet kjo nuk ndryshon dot”, deklaroi Koçi.
