Kryeministri Edi Rama, një pjesë të fjalimit të tij mbajtur dje në takimin me deputetë, ministra dhe drejtues të PS ia dedikoi kreut të bashkisë Erion Veliaj. Rama nuk e përmendi me emër, por përdori fjalorin më të ashpër dhe përbuzës për ‘kryetarin e bashkisë hajdut’. Ne mes të kryetarëve socialistë të bashkive në hetim ka vetëm një që po akuzohet si hajdut nga opozita pas arrestimit të bashkëpunëtorëve të tij dhe ai është Erion Veliaj. Edhe pse kryebashkiaku ka mohuar së fundmi se ka sherr me Edi Ramën, në prapaskenë “lufta” është ndezur. Burime bëjnë me dije se Erion Veliaj, i cili është drejtues politik i qarkut të Tiranës ka shpërndarë një ultimatum në grupet private që ka me njerëzit e tij që të largojnë nga strukturat personat që nuk mund t’ju “zihet besë” në këto kohë të errëta që kanë “mbërthyer” Partinë Socialiste. Veliajn nuk e frikëson SPAK-u, por mendimi se Rama mund të ketë vendosur ta shesë kryebashkiakun, duke parë dhe mesazhet e forta që lëshoi dje në takimin me deputetët dhe ministrat.
Mesazhet e forta
Kur SPAK i mori Veliajt bashkëpunëtorët e tij në bashki, prej ditësh iu shmang medieve dhe në fund zgjodhi të komunikojë me publikun me një video. Mesazhi i tij ishte një përzierje e shantazhit politik të brendshëm, drejtuar në “kokë” kryeministrit Rama. “Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit? Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!”, deklaroi Erion Veliaj në daljen publike.
Sinjali që kërkoi nga Rama
Më tej Veliaj ka tërhequr paralelen me Ramën. “Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij?! Ku jemi këtu? Në komunizëm? Kur shoku Enver i vinte mbrapa një parti të tërë e një armatë të tërë me spiunë, të gjithë zyrtarëve të shtetit, deri tek vrima e çelësit e shtëpisë së tyre, që sot u dashka të arrestohet e të burgoset nga gjykata politiko-mediatike, titullari i institucionit, sapo SPAK-u nxjerr fletët e arrestit për një apo disa zyrtarë të institucionit disa mijëra vetash që ai drejton?! I ngre këto pyetje retorike sepse në asnjë vend normal demokratik, nuk ndodh kjo gjueti shtrigash. Në parlamente, ekrane, portale, madje as në rrjetet sociale të Francës, Italisë, Greqisë e me radhë, nuk i shikon këto turra drush për të djegur të gjallë Presidentë, kryeministra, kryetarë bashkish, kur drejtësia thjesht po bën punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe ku gjykatat, në fund, e ndajnë shapin nga sheqeri, të fajshmit nga të pafajshmit”, deklaroi Veliaj. Ai dukej mjaft i alarmuar. Shqetësimi i tij është se mos Rama dhe opozita po kërkojnë ta çojnë Veliajn me konsensus në gojën e SPAK, prandaj kërkoi ndonjë sinjal nga kryeministri, por që Rama e vulosi dje fatin e tij nëse hetimet e drejtësisë së re do ta fundosin. Tashmë lufta është thelluar dhe Veliaj po i luan të gjitha kartat.
