Gazetarja e njohur, Klodiana Lala ka bërë një përshkrim panoramik të punës dhe vijueshmërisë së SPAK. Në një intervistë televizive, gazetarja zbulon se Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim intensiv në lidhje me kullën më të lartë të Tiranës që pritet të ndërtohet në zemër të qytetit, ‘Mali i Tiranës’. Aty dyshohet se është i përfshirë dhe Shkëlzen Berisha dhe oligarkë të njohur. Nga ana tjetër, Lala shprehet se janë thirrur në SPAK 300 dëshmitarë në lidhje me hetimet e koncesionit të Shëndetësisë. Ajo thotë se janë hapur hetime të reja ndaj zotit Ilir Beqaj pas dyshimeve për abuzimet me fondet publike të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Gjithashtu, Lala ka nxjerrë detaje të forta për mësymjen e SPAK në bashkinë e Elbasanit.
-Zonja Lala, çfarë po ndodh me dosjet që po heton SPAK?
SPAK është duke hetuar intensivisht në lidhje me kullën në zemër të Tiranës, ‘Mali i Tiranës’. Kam përgjigje zyrtare nga Prokuroria e Posaçme, që ka çelur një hetim penal për veprën penale të pastrimit të parave dhe veprat penale të shpërdorimit të detyrës nga ana e zyrtarëve. Kështu që, shumë çështje të cilat ende nuk kanë filluar të fliten për sa kohë që janë në fillimet e veta. Kjo është një nga rastet ku SPAK mund të na tregojë nëse është realisht me integritet dhe nuk është i lidhur në rrjetën e merimangës apo i ngecur mes politikës, krimit dhe biznesit. Ky është një hetim që është duke ecur. Kemi hetime të tjera që kanë të bëjnë me koncesionet në Shëndetësi. Deri tani 300 dëshmitarë i kam numëruar unë te koncesioni i Check-up-it, vijojnë të pyeten. E dini çfarë do të thotë që një hetues i BKH-së që merret me një çështje të tillë, të pyesë, pra i duhet 1 vit vetëm për të pyetur dëshmitarët sepse vajtja e një dëshmitari në SPAK do minimalisht 1 ditë të tërë. Kemi një hetim të ri të çelur ndaj Ilir Beqajt, ish-ministrit të Shëndetësisë. Zoti Beqaj ka pasur marrëveshje dhe një ndikim shumë të fortë në Prokurorinë e Posaçme, brenda atyre lobeve që unë e kam thënë disa herë dhe nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Brenda Prokurorisë së Posaçme ka grupime të caktuara që kanë tentuar ta shpëtojnë zotin Beqaj. Sot ai ka të paktën dhe një çështje që është bërë publike për dyshimet e abuzimeve me fondet e Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), por në dijeninë time se ca kam kuptuar nga një përgjigje disi të mefshtë të Prokurorisë ka një çështje të re penale e hapur për zotin Beqaj. Sot ke hetime pafund që përfshin zyrtarë të lartë. Në lidhje me çështjen e inceneratorëve, SPAK duhet ta kishte hetuar si grup të strukturuar kriminal. Do duhej që të tre të ishin hetuar bashkë, do duhet ta kishte thirrur kryeministrin Edi Rama që në momentin që bëri vendimet me shpejtësi dhe u krijuar gjithë shtrati për tu marrë kontratat e koncesionare, por sido që të shkoj në këndvështrimin tim fakti që Prokuroria dhe pse me vonesë është duke thirrur njerëz që deri dje edhe ne mediat shihnim në sistemin TIMS ku ndërkohë që zoti Veliaj p.sh, në datë 2 Maj dilte duke mbjellë pemë në të gjitha televizionet e Shqipërisë ndërkohë që sipas sistemit TIMS rezultonte që kishte ikur në Holandë ose në Vjenë. Dhe ajo çfarë në atë kohë më ka trishtuar shumë nuk ishte problemi që flitej për Erion Velinë ku bëhet fjalë për 5-6 vite përpara dhe askush nuk thoshte që më fal kanë dalë këto të dhënat, si ka mundësi që në pikën ku ne jemi askush nuk po shqetësohet për atë çfarë po ndodh me abuzimet që bën ky kryetari i bashkisë por thonin qenka kujtuar një gazetare për të shkruar për të. Ja ne kështu i kemi lënë gjërat rrugës për arsye që unë nuk jam në gjendje t’i shpjegojë pasi nuk mund të flas në emër të gjithkujt, por në emrin tim. SPAK-u është i ngarkuar nga ligji për të hetuar të gjithë klasën politike shqiptare e cila duam apo nuk duam me kush më shumë e kush më pak, ka një perceptim shumë të lartë për korrupsion. Dhe për mua është pak e rëndësishme nga cili emër e nis por vazhdoj t’i mëshoj idesë se nëse SPAK do të sigurojë prova për cilindo prej tyre, që nga Berisha, Meta, Rama, Veliaj, etj me radhë, ta çoj dosjen në Gjykatë dhe mbaron historia. Se ne duam të ketë drejtësi e kritikojmë për presion pozitiv që të ecë puna para, SPAK i ka dosjet aty, le të na dëshmojë që është institucion i pavarur dhe me vullnet për t’i shkuar deri në fund.
-Cilat janë çështjet konkrete që SPAK po heton politikan të nivelit të lartë?
Zoti Berisha, zoti Meta, zonja Kryemadhi, po hetohet roli i Damian Gjiknurit, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj në arrati, po hetohet roli i disa ministrave në koncesionin e Shëndetësisë fillon nga zoti Beqaj dhe më pas vijon dhe zbatueshmëria e kontratës që kap disa ministra që shtrihet në drejtim të tyre. Ka edhe çështje që kanë të bëjnë me AKSH-in, janë disa çështje që janë duke vijuar, ka disa çështje që kanë të bëjnë me tenderat ku vetëm para dy ditësh në Elbasan ka patur një furtunë sekuestrimesh të dokumenteve që kanë të bëjnë me tenderat dhe sekuestrim të celularëve. Ka kryetar apo ish-kryetar të bashkive nga të gjithë krahët politik, të themi që 3 drejtorët e Erion Velisë nuk duhet të ishin arrestuar në një kohë kur është vjedhja më flagrante dhe vjedhja që i poshtëron shqiptarët se na qenka Sali Berisha në arrest shtëpie, kjo nuk besoj se duhet të krahasohet. SPAK-u sot nuk ka asnjë argument për ta vijuar hetimin ndaj Sali Berishës se ka patur kohën e nevojshme për ta përfunduar atë hetim dhe për të marrë një vendim për fatin e Sali Berishës, megjithatë prokurorët e kanë vendimmarrjen në dorë dhe do të duhet të presin finalizimin.
-Zoti Veliaj tha se kisha shumë kohë që kisha kërkuar takim me SPAK ndërkohë që SPAK-u thotë që e kemi thirrur ne. Sa herë është thirrur në SPAK dhe a do të thirret përsëri?
Zoti Veliaj po vijon të trashë gabimin që ka bërë në fillim dhe po vijon e ta trashë e ta trashë pafundësisht sepse kësaj dileme që i ka kërkuar takimin zoti Veliaj apo është thirrur nga SPAK, është dilemë që e ka marrë zgjidhjen dhe është një pyetje që nuk ka më nevojë që të bëhet sepse unë personalisht kam kërkuar fletë thirrjen që zoti Veliaj paralajmëroi që nëse nuk paraqitet në orarin dhe ditën e caktuar automatikisht do të shoqërohej nga oficerët e policisë gjyqësore. Se për cilat arsye zoti Veliaj vijon të thotë se kam kërkuar bashkëpunim, më shumë duket një strategji komunikimi për t’ju mbushur mendjen atyre që e ndjekin nga pas, patronazhistëve të tij sesa për t’i mbushur mendjen medias. Erion Veliaj po vijon të përsëris të njëjtën gënjeshtër që e bëri që në krye të herës. Nuk e kuptoj dot arsyen pasi shqiptarët janë të qartë dhe kanë parë dokumentin me vulë dhe me firmë të prokurorisë, ku Erion Veliaj paralajmëroi me shoqërim të detyrueshëm nëse nuk paraqitej. Kështu që kjo histori duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Erion Veliaj nuk mund ta trajtojë SPAK-un, sikur është një institucion që ai e ka në varësinë e tij dhe nuk mund të trajtojë një institucion që Erion Veliaj është i gatshëm për t’u përgjigjur për çështjen e inceneratorëve. Se historia e hetimit të inceneratorëve ka nisur që në 2020-ën. Jemi në 2024-ën dhe befas u kujtua Erion Veliaj të bashkëpunojë me SPAK-un, ku ishte ky zotëria përgjatë katër viteve që ka dalë shkresa me firmën e tij që anashkalon Këshilli Bashkiak. Është folur për marrëveshjen e verërave, është folur për hetimin e rolit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, është folur për një zyrë (ku Cafalioni, italiani që është një nga personat e përfshirë në qindra aksionerë që janë ndryshuar te kompanitë e inceneratorëve) kontakti në Bashkinë e Tiranës. Pra Erion Veliaj nuk u shqetësua në këto katër vite dhe papritmas kur SPAK-u e thërret zyrtarisht dhe në momentin që merr fletë thirrjen, del e thotë unë po bashkëpunojë. Jo, nëse do të kishte vullnetin për të bashkëpunuar që në momentin që doli shkresa dhe është publikuar, këtu e tre vite përpara, mund t’i drejtohej prokurorisë e të shkonte aty ose të bënte një kallëzim penal për fakte dhe prova që ai dinte. Në momentin që i shkoi shkresa, për të minimizuar dëmin që mund t’i vinte imazhit, Veliaj mendoi që nxori kokën kjo gënjeshtra që unë po bashkëpunojë. Unë e shikoj më shumë si një mesazh atë çfarë thotë zoti Veliaj, bashkëpunim, e vërteta e inceneratorëve, kolegët, etj, mendoj që atë po e përdor për të përçuar mesazhe politike. Se kujt ia dërgon këto mesazhe politike dhe kujt ia adreson, nuk dihet. Por, Erion Veliaj është thirrur. A do të thirret sërish, për momentin prokurorët e kanë pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, është duke u hetuar roli i tij, patjetër që hetimi në raport e zotin Veliaj sapo ka nisur sepse ka detaje që kanë të bëjnë me shumë pikëpyetje rreth zotit Veliaj, udhëtimet që ka patur jashtë vendit, marrëveshjen me verërat, shmangien e Këshillit Bashkiak, arrestimin e drejtorëve të tij më të rëndësishëm, të cilët sot SPAK është duke hetuar jo vetëm shkresat që kanë të bëjnë në lidhje me procedurën e inceneratorëve por është shtrirë përtej, tek paratë. Se kur do ta dërgojë gjurmimi i parave, SPAK-un, do të duhet të presim.
