Për të 6 herë, Rithemelimi dhe Partia e Lirisë protestuan dje me një grup militantësh para Bashkisë së Tiranës për gati 2 orë, duke ndërmarrë akte dhune e hedhur sërish molotovë e tymuese në drejtim të godinës. Nga hedhja ne molotovëve është rrezikuar jeta e policëve të vendosur përreth bashkisë si kordon sigurie, ndërkohë që nga “Veliaj ik” protesta tanimë është shndërruar në “Lironi Berishën”. Si pasojë e molotovëve që u hodhën një prej efektivëve humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Efektivët e tjerë ndërhynë për të shuar zjarrin e shkaktuar nga molotovët. Për shkak të dhunës dhe përpjekjeve të protestuesve për të carë kordonin e sigurisë, policia përforcoi praninë duke shtuar edhe më shumë efektivët. Ndërkaq një pjesë e protestuesve përmes veprimeve të dhunshme mundën të heqin edhe rrethimin me barrierën metalike përreth bashkisë tiranë. Në pamjet me dron të siguruara nga gazeta “SOT, duket se pjesëmarrja në protestë është tejet e ulët, ku siç duket janë veç një pakicë, ashtu si edhe në protestat e tjera të zhvilluara me të njëjtin skenar, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Veliaj, pas hetimit të ndërmarrë nga SPAK ndaj disa ish drejtorëve të kësaj bashkie. Në protestë nuk mungoi as Argita Berisha, vajza e ish-kryeministrit Berisha në arrest shtëpie për korrupsion për aferën “Partizani”, ku me një bluzë të stampuar ‘lironi liderin e opozitës’ ajo ishte ndër të parët që u shfaq në tubim, Si për të konfirmuar edhe një qëllimin e vërtetë të protestës, që prej javësh vijon me thirrjet për lirimin e Sali Berishës. Edhe për protestën e mbajtur këtë të martë para Bashkisë së Tiranës lejen në polici e kishte marrë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Për të shmangur trafikun dhe përplasjen me protestuesit, policia ndaloi lëvizjen e mjeteve në bulevardin pranë Bashkisë, duke i devijuar në rrugë të tjera alternative.
Detajet
Ndërkohë është zbuluar skema sesi çohen bombat molotov përpara bashkisë së Tiranës, për të përsëritur spektaklin e dhunshëm, në mungesë të pjesëmarrjes. Burime nga policia bëjnë të ditur se është zbuluar skema e dërgimit të mjeteve plasëse. Para zhvillimit të protestës, janë disa gra që u japin çanta disa adoleshentëve që edhe nëse kapen nuk i kap ligji. Çantat kanë bomba Molotov poshtë, ndërkohë që sipër ka vezë e domate. Disa nga këto ngarkesa janë zbuluar nga ana e uniformave blu. Ato i mbajnë fëmijë 14-15 vjeç, ndërkohë që këta të foltores mbahen si parti e burrave. Sakaq protesta e radhës para bashkisë u njoftua për të martën e ardhshme.
Reagimet
Nga ana tjetër, Belind Këlliçi, i cili ishte pjesë e protestës së gjashtë të opozitës para Bashkisë së Tiranës, theksoi se aksioni që kanë nisur nuk do të ndalet, derisa siç u shpreh ai të largojnë kryetarin e bashkisë. Teksa komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, Këlliçi u shpreh se kreu i qeverisë dha “OK” për arrestimin e zyrtarëve. “Ne këtë aksion nuk e ndalim. I premtojmë qytetarëve që kjo betejë nuk fitohet me largimin e Veliajt, por kur Edi Rama do të largohet nga zyra e tij. Nuk mjafton që Rama të japë OK, siç tha sot që të arrestohen zyrtarë dhe ai të mbretërojë i qetë, por ne do duhet t’i japim atë që meriton kësaj bande që është në krye të qeverisë që në 10 vite e ka boshatisur Shqipërinë”, deklaroi Këlliçi. Ndërkaq në protestën para Bashkisë së Tiranës ka folur edhe shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu. Balliu shprehet se Policia sot duhet të ishte më shumë së kurrë në krah të qytetarëve. “Policia sot më shumë se kurrë duhej të ishte në krah të qytetarëve. Hajdutin e keni prapa jush. Këta këtu janë si ju. Ata të cilët po bëjnë foto, nuk ka nevojë të bëjnë foto, ne vijmë këtu deri sa të fitojë kjo kauzë. Se nuk fshihet kush do që të vijë këtu, por fshihen ata që rrinë pas asaj dere, sepse u vjen turp, u vjen zor sepse kanë bërë krim dhe nuk dalin dot në shesh përballë qytetarëve dhe ju sjellin ju këtu që ju bën 500 euro kapelja dhe keni 450 euro rroga. Ndërkohë ju kërkojnë që të përplaseni me qytetarët që këtë ta ruajnë milionat e eurove të veta. Po sikur gjithë ky zell që tregon ky shtet ndaj qytetarëve, të tregohej ndaj krimit. Po sikur gjithë ky zell që tregohet kundër qytetarëve të tregohej ndaj hajdutëve. Apo të ishim ne kriminelë në parlament, trafikantë në parlament, ne bashki, trafikantë në qeveri. Jo. Por ju detyrojnë të merreni gjithë ditën me qytetarët që të bëjnë qejf kriminelët, të bëjnë qejf banditët”, deklaroi Balliu.
