Ja pse u ndalua Beleri të betohej si kryetar i Bashkisë së Himarës, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin, grekët shtojnë sulmet ndaj drejtësisë

Data

Fredi Beleri duhet të kishte shteruar të gjitha mjetet juridike para se t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Ky ka qenë arsyetimi i  Kushtetueses, pasi i rrëzoi Belerit, në burg për blerje që prej 12 majit 2023, kërkesën për të  marrë leje të posaçme nga burgu, me qëllim betimin si kryebashkiak i Himarës.  Kushtetuesja refuzoi më 3 prill ta kalonte në seancë plenare çështjen e tij, pa e marrë në shqyrtim gjyqësor. Sipas vendimit të Kushtetueses, ankimi individual në këtë gjykatë është bërë nga përfaqësuesi ligjor i Belerit në 3 janar 2024, në një kohë që diskutimi për lejen për t’u betuar nuk ishte shqyrtuar ende në Gjykatën e Posaçme. Për këtë fakt, Kushtetuesja arsyeton se pretendimi i Belerit se e drejta e tij për t’u zgjedhur mund të vihej në vend vetëm përmes ankimit individual kushtetues nuk qëndronte. Sipas Gjykatës Kushtetuese, për sa kohë Beleri kishte nisur një proces gjyqësor pranë gjykatave të juridiksionit të zakonshëm me të njëjtin objekt, pra kundërshtimin e vendimit të Drejtorisë së Burgjeve, pretendimet e tij mund t’i nënshtroheshin kontrollit kushtetues veç pas përfundimit të procesit të nisur në këto gjykata. Duke konsideruar se Beleri nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike para se t’i drejtohet Kushtetueses, kjo gjykatë ka vlerësuar se ankimi i tij nuk mund të kalonte në seancë plenare. “Për rrjedhojë, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se kërkuesi ka ende në dispozicion mjete të tjera juridike, të cilat, nga pikëpamja e efektivitetit, janë në gjendje të korrigjojnë të drejtën e cenuar. Për sa më sipër, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, nenit 71/a, pika 1, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577/2000, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se kërkuesi nuk ka shteruar të gjitha mjetet juridike efektive në dispozicion përpara se t’i drejtohej Gjykatës dhe se në kushtet kur ky kriter paraprak nuk plotësohet, analiza e përmbushjes së kritereve të tjera të pranueshmërisë bëhet e panevojshme, për shkak të karakterit kumulativ të tyre. Si përfundim, bazuar në të gjithë arsyetimin e mësipërm, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se ankimi kushtetues individual nuk i plotëson kriteret për kalimin për shqyrtim në seancë plenare”, thuhet ndër të tjerë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Reagojnë grekët

Ndërkohë nga ana tjetër, edhe grekët kanë shtuara sulmet ndaj drejtësisë shqiptare. Ditën e djeshme eurodeputeti grek, Manolis Kefalogianis ka vizituar për herë të katërt në burg, kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili është edhe kandidat për eurodeputet në radhët e partisë së kryeministrit grek. Kefalogianis nuk pranoi të japë asnjë koment për mediat, për Vangjel Dule, i cili ishte i pranishëm me të u shpreh gjatë një prononcimi për mediat se kjo është një dëshmi e interesit në nivele evropiane. Dule deklaroi se burgosja e Fredi Belerit është e padrejtë, duke theksuar se do vazhdojnë të kërkojnë të drejtën dhe lirimin e tij. “Në kuadër të ditëve të festës së madhe të Pashkës Ortodokse vizituan me eurodeputetin dhe njëherësh kryetarin e grupit parlamentar të BE për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit  BE-Shqipëri, zotin Qefalojanis, mikun tonë, kryetarin e bashkisë së Himarës, kandidatin për eurodeputet, Fredi Beleri. Ishte vizitë për të shkëmbyer urime, por edhe për të dëshmuar vazhdimin e përpjekjes tonë, në vendin tonë, por edhe në Evropë për gjetjen e të vërtetës dhe të së drejtës. Zoti Qefalojanis është e katërta herë që viziton Belerin, dëshmi kjo e interesit të vazhdueshëm jo vetëm brenda vendit, por edhe në nivele evropiane për këtë çështje padrejtësie të papranueshme në shkelje flagrante të funksionimit të shtetit të se drejtës të demokracisë funksionale dhe të mëvetësisë së pushtetit vendor në vendin tonë, që në mënyrë të papranueshme janë bërë objekt shkelje në rastin e Fredi Belerit”, deklaroi Dule. Kujtojmë se aktualisht, Beleri po vuan një dënim me 2 vjet burg dhënë nga Shkalla e Parë për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”. Ky vendim është ankimuar nga Beleri  në Gjykatën e Posaçme të Apelit, e cila pritet ta marrë në shqyrtim. Deri tani dosja nuk është hedhur ende në short ndërsa avokatët e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës kërkojnë pafajësi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related