Operacioni “Flakë në det”, SPAK arrestohen edhe 3 pjesëtarë të grupit “Baronit të drogës” Gëzim Çela, në kërkim mbetet “Kapelja”, zbardhen emrat

Data

Tre persona të tjerë njëherësh anëtarë të grupit të Gëzim Çelës u arrestuan ditën e djeshme me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të operacionit ‘Flakë në det’. Sipas burimeve raportohet se ato janë Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj. Për secilin prej tyre, SPAK ka nxjerrë edhe akuzat: “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Operacioni “Flakë në det” i ndërmarrë vitin e kaluar, 15 gusht 2023,  më herët ka çuar në pranga dhe një Komisar të Kurbinit, Dritan Metaj, i cili akuzohej se bashkëpunonte me të ashtuquajturin ‘baronin e drogës’, Gëzim Çelën dhe anëtarë të tjerë të grupit me bazë në Fushë Kuqe të Kurbinit. “Në vijim të veprimeve procedurale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e  Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim Alket Deda, Ksenofon Bodo, Selami Lushkaj, si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a,  333/a dhe 334 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Drejtori i IMT Kurbin mbetet në burg

Ndërkohë nga ana tjetër një person i moshuar teksa ishte vënë në hetim për shtesë pa leje, i dha dhe indicien kryesore Prokurorisë së Lezhës për zbulimin e mega skandalit nga Gëzim Çela i njohur me nofkën ‘baroni i drogës’. Ky i fundit sipas autoriteteve raportohet se ka ndërtuar në zonën e mbrojtur të Lagunës së Patokut. Në dëshminë e dhënë në polici, burri i moshuar deklaroi se godina e tij me shtesë pa leje ishte e papërfillshme krahasuar me atë çka po ndodhte në lagunën e Patokut dhe e kishte fjalën pikërisht për godinën në pronësi të “baronit”, i cili rezulton të mos jetë vetëm i drogës, por edhe “baron i Patokut”. Ndërkohë, dje Gjykata e Lezhës la në fuqi masat “arrest në burg” për drejtorin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Kurbin, Jetmir Mzhika dhe ish-drejtorin e Inspektoratit të Territorit në Lezhë, aktualisht drejtor i Filialit të Postës, Flori Gjini. Po ashtu, togat e zeza njëherazi pranuan edhe kërkesën e prokurorit Sabri Kastrati për të lënë në fuqi si edhe pezullimin nga detyra të 3 inspektorëve. Masa ndaj të dyve u dha pas një hetimi 6 mujor të bërë nga akuza e Lezhës, nga ku rezultoi se zyrtarët lejuan ndërtimin e një objekti në pronësi të Gëzim Çelës. Kujtojmë se bëhet fjalë për një ndërtesë ngjitur me kompleksin “Royal Blu”, në pronësi të ish-policit që u bë krah me krimin, e cila pas hetimeve të prokurorisë rezultoi se ishte ngritur pa leje, tashmë e vendosur në sekuestro preventive. Ndërtimi biznes, së bashku me “Royal Blu”, i vendosur më herët nën sekuestro nga SPAK, ndodhet në zonë të mbrojtur te Laguna e Patokut dhe është ndërtuar nga Çela, edhe pse kompania është në emrin e kushëririt të tij, Fatjon Frangaj. Kompleksi turistik i Gëzim Çelës në rrugën kryesore të Patokut duhej të kishte sjellë reagimin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Kurbin, por asnjë inspektor nuk ka bërë kontrolle në territor. Ndaj me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Lezhës caktoi fillimisht në mungesë masat ndaj 2 zyrtarëve, të cilat u ri konfirmuan sërish ditën e djeshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related